Berisha: Votimi i 14 majit ka rëndësi vendimtare për fatin e Shqipërisë! Votoni njëshin dhe kandidatët e primareve!

Premte, 12 May 2023 21:28
 
 

"Votimi i 14 Majit ka rëndësi vendimtare për fatin e Shqipërisë". 

Kështu u shpreh kryetari i PD, Sali Berisha gjatë mitingut madhështor në sheshin "Nënë Tereza", takimi përmbyllës i fushatës elektorale.  

 
 

Berisha ftoi qytetarët të votojnë kandidatët e primareve dhe numrin 1, koalicionin opozitar "Bashkë Fitojmë". 

 

"Tek flas para jush, mendja më shkon te fushata e vitit 2013. Në atë fushatë, forcat politike konkurronin me një program se cila do krijojë vende pune më shumë, se cila do rrisë rrogat më shumë për qytetarët, se cila do ofrojë shërbime më të mira, se cila do të udhëheqë Shqipërinë drejt hapësirave euroatlantike. Ndaluni sot, kthehuni te kjo fushatë. 

Sot ne flasim se si do ndalojmë varfërinë e frikshme, se si do frenojmë shpopullimin, shkretimin e vendit. Se si të frenojmë largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria, se si do mbrojmë pluralizmin, se si do mbrojmë Shqipërinë nga abiset e historisë, se si do mbrojmë vokacionin perëndimor të vendit tonë, se si të ruajmë nordin tonë drejt Brukselit, në një kohë kur partia tjetër, sekti tjetër e hapi fushatën me eksploziv, e mbyll me arrestime. 

Vazhdoi fushatën me tallje me qytetarët, me tallave, me sharje ordineri për kundërshtarët. Vazhdoi fushatën me mashtrime ordinere se do dyfishojë rrogat. Në këtë situatë, kjo fushatë dhe votimi i 14 majit kanë një rëndësi jetike, kanë një rëndësi vendimtare për fatin e Shqipërisë, për fatin e shqiptarëve. Ndaj dhe unë kam një mesazh sonte për çdo demokrate dhe demokrat, të gjithë kudo që jeni: me 14 maj, të votoni kandidatët e primareve, të merrni pjesë në votime, të votoni njishin, njishi është fati që shkatërron Edi Ramën, njishi është fati që përmbys monizmin, njishi është fati tek i cili ju firmosni fitoren.

Njishi është fati me të cilin ju i jepni përgjigjen më të merituar armikut më të egër të pluralizmit shqiptar. Mesazhi im është i njëjtë për çdo socialist shqiptar: unë u them sonte se 14 maji është një ditë shpëtimi për ju. Votoni kandidatët e primareve, votoni koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’, votoni njishin që të fitoni PS-në e uzurpuar nga një bandë kriminale, e cila ju paraqet ju ashtu siç nuk jeni. Nuk jeni ju njerëzit e krimit, nuk jeni ju njerëzit e mafias, por ju besoni në demokraci dhe vlerat e saj. 

Mesazhi im sonte është për të gjithë shqiptarët pa parti. Hidhni mënjanë indiferencën. Ajo është fatale për ju dhe Shqipërinë. 10 vite dimër, 10 vite ngricë, 10 vite largim masiv i shqiptarëve, 10 vite varfëri, asnjë nuk duhet të qëndrojë indiference. Më 14 maji të votojë njishin, të votojë koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’, të votojë Belind Këlliçin, të votojë kandidatët e primareve. Këtu para jush do i them Edi Ramës: mbaje mend se mund të vjedhësh ndonjë votë në lumin që rrjedh, por lumin nuk e vjedh dot. Rryma e fitores do të marrë përpara, do të çojë atje ku e meriton.

Edi Rama, hiq dorë se populli është në këmbë se shqiptarët sot janë më krenarë se kurrë, janë më të vendosur se kurrë të mbrojnë liritë e tyre".

Login to post comments