Kryetari demokrat, Sali Berisha, doli në një konferencë për shtyp për të falënderuar qytetarët që kanë votuar, por edhe për të ftuar ata që nuk kanë votuar, që të shkojnë pranë kutive të votimit.
“Së pari, jam këtu për të falenderuar përzemërsisht të gjithë ata qytetarë shqiptarë, që kanë ardhur nga dhjetëra e dhjetëra vende të kontinenteve të ndryshme për të firmosur sot me votën e tyre ndryshimin.
Së dyti, unë dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata qytetarë shqiptarë, të cilët që nga ora shtatë e mëngjesit deri në këtë kohë, janë paraqitur dhe kanë hedhur votën e tyre në kutitë e votimit.
Kanë kryer një detyrë kushtetuese jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, veten dhe familjen e tyre.
Së treti, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk kanë votuar, të votojnë, të paraqiten në orët në vazhdim pranë qendrave të tyre dhe të votojnë si një shërbim i jashtëzakonshëm që i bëjnë vendit, vetes dhe familjes së tyre.
Së fundmi, garantoj qytetarët se opozita po mbikëqyr me sukses të plotë këtë proces. Ajo sot është më e fuqishme se kurrë. Vota e tyre ka mbrojtjen absolute të opozitës shqiptare.
Çdo lloj përpjekje që po bën narkoadministrata, narkoshteti, është e destinuar të dështojë, të dështojë dhe vetëm të dështojë.
Qytetarëve u them gjithashtu, policia ka marrë pushim sot, por pavarësisht nga kjo, ju votoni si njerëz të lirë.
Opozita do të mbrojë votën dhe po mbikëqyr çdo votë tuajën!” tha Berisha