Edi Rama nuk e përmban dot urrejtjen për Albin Kurtin as në 'BBC News'

Saturday, 03 June 2023 12:25
Inati dhe urrejtja e Ramës për Kurtin është tashmë e njohur, ashtu sikurse edhe dashuria e tij për Aleksandër Vuçiçin.

Në një situate tepër të tensionuar në Veri të Kosoves, ku kjo e fundit po përballet me një agresion të shtuar nga Vuçiç, Edi Rama gjen kohë të japë një intervistë për median prestigjioze britanike “BBC News”.

Teksa i është thënë se homologu i tij i Kosovës “Albin Kurti ka deklaruar se Perëndimi po e mban me të mirë Serbinë dhe se reagimi nga ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar ka qenë një trysni e tepruar mbi Kosovën”, kryeministri Rama shprehet: "Kam bindjen se ShBA-ja dhe BE-ja kanë tërësisht të drejtë dhe Albini e ka gabim këtu, sepse nuk po përpiqen ta mbajnë Serbinë me të mirë, po përpiqen që më në fund ta çojnë Kosovën në një tjetër nivel".
 
 
INTERVISTA E PLOTE
 
 
 

BBC: Kosova ka qenë në qendër të lajmeve javët e fundit, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit në vijim të zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë etnikë të komunave. Kryetarët e komunave morën mandatet pasi zgjedhjet u bojkotuan nga popullata serbe. Kjo ishte një skenë në qytezën e Zveçanit të hënën, kur u shpërthyen përplasjet midis ushtarëve të drejtuar nga NATO-ja dhe protestuesve serbë, që po përpiqeshin të bllokonin hyrjen në zyrë të kryetarëve të sapozgjedhur të komunave. NATO-ja po planifikon të dërgojë më shumë paqeruajtës, pas plagosjes së 30 prej tyre u plagosën gjatë trazirave. Dhuna, ndërkohë, ka nxitur frikën e rindezjes së konfliktit në Ballkan, ndërkohë që një sërë aktorësh rajonal kanë ndërhyrë në përpjekje për të menaxhuar situatën. Kjo hartë tregon Kosovën, e cila gjendet e kufizuar midis Serbisë në veri dhe Shqipërisë në jug. Pak kohë më parë, fola me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ja, çfarë kishte për të thënë ai.

Kryeministri Edi Rama: Ka një situatë shqetësuese në veri të Kosovës, po nuk do ta vija shumë theksin te rreziku. Le të themi se kjo situatë është provokuar së pari nga serbët, të cilët braktisën institucionet, duke krijuar praktikisht një vakum dhe, së dyti, nga autoritetet e Kosovës, që këmbëngulën për vendosjen e këtyre kryetarëve në ndërtesa bosh, ku shumica e popullsisë është kryesisht serbe. Sa për ta sqaruar, zhvillimi i zgjedhjeve ishte gjë shumë e mirë, për të treguar se askush nuk mund të marrë peng procesin demokratik në Republikën e pavarur të Kosovës, por nuk ishte ide e mirë që, më pas, të këmbëngulej që këta katër kryetarë të hynin në ndërtesat bosh nën mbrojtjen e policisë, që solli ndërhyrjen e KFOR-it dhe plagosjen e padrejtë të ushtarëve të KFOR-t.

BBC: Kryeministër, mos po ia drejtoni gishtin si fajtor këtu Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës?

Kryeministri Edi Rama: Nuk jam këtu për të fajësuar, po përpiqem thjesht t’i përgjigjem pyetjes suaj, ndërkohë që mendoj se tabloja e gjerë është shumë më optimiste, pasi Serbia dhe Kosova, falë Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiçit janë tanimë në pikën më të afërt për arritjen e një marrëveshjeje historike. Besoj po ashtu se fakti që marrëveshja është kaq pranë, mbështetur në të ashtuquajturin propozim franko-gjerman, me rezultat përfundimtar njohjen e ndërsjellë, i ka dëshpëruar njëfarësoj të dy. Është njësoj si një çift në dyert e kishës përpara se të martohen, që i vijnë dyshime, por mendoj se do të jetë …

BBC: Atëherë pyetja është, a do të hyjnë në kishë? A mendoni se do të ketë marrëveshje?

Kryeministri Edi Rama: Mendoj se nuk ka asnjë shans në botë, siç do thoshte dikush… apo siç do thoshte ndonjëherë Shtëpia e Bardhë, që kjo marrëveshje të mos bëhet. Pyetja e vetme është “kur”. Dje ishim të gjithë udhëheqësit në Komunitetin Politik Europian në Moldavi, dhe të gjithë kishin bindje të patundur, sidomos Presidenti francez dhe Kancelari gjerman, se të dyja palët dhe Aleksandar Vuçiçi dhe Albin Kurti duhet të ulen njëherë e mirë dhe të arrijnë marrëveshjen dhe ta zbatojnë atë.

BBC: Albin Kurti ka thënë se Perëndimi po e mban me të mirë Serbinë dhe se reagimi nga ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar ka qenë një trysni e tepruar mbi Kosovën.

Kryeministri Edi Rama: Më vjen keq ta them, por kam saktësisht të njëjtin mendim dhe jo për shkak të ndonjë pozite servilizmi, por sepse kam bindjen se ShBA-ja dhe BE-ja kanë tërësisht të drejtë dhe Albini e ka gabim këtu, sepse nuk po përpiqen ta mbajnë Serbinë me të mirë, po përpiqen që më në fund ta çojnë Kosovën në një tjetër nivel, që do të thotë, në një shtet që njihet nga të gjithë, një shtet që mund të zërë një vend në Kombet e Bashkuara dhe në shumë institucione të tjera, ku mungon.

BBC: Po agresioni erdhi nga pala serbe, nga Beogradi.

Kryeministri Edi Rama: Cili?

BBC: Agresioni. Të ashtuquajturit banditë në pamjet që pamë me ushtarët e NATO-s.

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, po, është e vërtetë dhe nuk ka sesi të mohohet, por, nga ana tjetër, është po ashtu e vërtetë që dërgimi i këtyre kryetarëve të komunave kundër këshillës së mirë të gjithkujt – dhe kur them gjithkujt, e kam fjalën për miqtë dhe partnerët e mëdhenj të Kosovës, pa të cilët Kosova nuk do të ishte ajo që është sot – ishte një hap më i tepërt seç duhej. Thënë kjo, mendoj se Serbia ka reshtur së qeni rrezik për Kosovën që prej vitit 1999, e ka humbur njëherë e përgjithmonë Kosovën që në vitin 1999 dhe tani është koha për paqe. Është koha për normalizim. Është koha për t’u ulur. Është koha për të pranuar dhe për t’i dhënë Serbisë atë që ka qenë më parë në marrëveshje, që do të thotë, asociacionin e komunave me popullsi serbe dhe të drejtën e kishës ortodokse serbe që të ketë aktivitetin e saj brenda Kosovës dhe, nga ana tjetër, Serbia duhet të heqë dorë dhe të kuptojë që Kosova ka ikur dhe të pranojë njohjen e ndërsjellë.

Login to post comments