PS prej kohësh ka humbur identitetin e saj politik, ekonomik e social dhe brenda një dekade qeverisje u shndërrua në një parti kartel.
Kartelizimi i saj iu nënshtrua një procesi të gjatë shfytyrimi dhe u shtri në disa rrafshe.
E ardhur në pushtet që nga 2013, ajo vit pas viti humbi kontrollin mbi standardet dhe parimet e ndërtimit të shtetit të së drejtës e demokratik dhe “u shkri” në një format të dikurshëm të partisë-shtet që kontrollon e orienton çdo detaj të jetës ekonomike e politike të vendit.
Ky kartelizim e shndërroi atë menjëherë në rregullatore të konkurrencës së ashpër për zona influence midis grupeve rivale dhe në përcaktuese të pistave zhvillimore të tyre. Disa u ngritën e disa ranë ekonomikisht. Disa u shkrinë më njëra-tjetrën dhe të gjithë bashkë u fuzionuan me pushtetin e partisë.
E vetmja fushë këtu që ruajti konkurrencën “e ndershme” ishte vrasja. Kjo në bazë të shprehjes orientuese të vetë kreut të kartelit: “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”.
Distanca midis zyrtarit dhe keqbërësit, anëtar partie apo patronazhist, u zvogëlua kaq shumë sa nuk dihet tani se cili tipar i dallon ata nga njëri-tjetri. Ndërsa dallimi polic- kriminel është një dallim formal kapeleje, pra çështje uniforme. Minimalisht në këtë pikë keqbërësit gëzojnë një lloj ndershmërie, pasi janë ato që janë dhe nuk kamuflohen.
Konkurrenca morale u zhduk, për të mos thënë u përmbys, në favor të keqbërësit.
Dhe për t’i vënë vulën partia-shtet, tashmë e nisur në rrugën e saj pa kthim drejt kartelizimit, rrëmbeu nëpërmjet Ministrisë së Brendshme dhe kontrollon, rregullon e dominon sot de facto tregun e konkurrencës së lëndëve narkotike. Nëpërmjet dy rrugëve: kultivimit e shitjes së kanabisit dhe tranzitimit të heroinës dhe kokainës nga rrugët e portet kryesore të vendit nën monitorimin mbrojtës të syrit vigjilent të partisë-Kartel.
Kuptohet të përzgjedhurit janë violinë e parë. Vetë partia-kartel drejton pas kuintave. Çdo gjë tjetër: polici, organe akuzuese e dënuese janë thjesht rekuizitë politike për shfaqe ndërkombëtare. Në këtë pikë ajo mori dhe medaljen e shndërrimit të saj në një kartel të mirëfilltë droge.
Njëkohësisht përfaqësues të rëndësishëm të botës së errët kapërcyen gardhet psikologjikë e faktikë me tela dhe brenda një kimie fantastike u shndërruan në përfaqësues të suksesshëm politikë, ku vazhdojnë ende performancat e tyre në krahë të festaxhijve.
Në rrafshin ekonomik, Karteli politik futi nën sqetullën e tij bizneset klienteliste duke krijuar favorizime me përfitime aksionare marramendëse për vetë interesat e Kartelit. Diktoi koncesionet, investimet grabitëse, kapi tregun bankar dhe eliminoi konkurrencën e lirë dhe nxori në plan të tretë qytetarin konsumator.
Grupet e fuqishme ekonomike, tashmë të kartelizuara me partinë e pushtetin, shtrinë tentakulat e tyre në botën sensitive të medias dhe të pasurive publike dhe diktojnë me para dhe propagandë peshën e zgjedhjeve politike në vend.
Në rrafshin politik PS, e pasuruar tashmë financiarisht dhe brenda një pushteti të pakufizuar, u fokusua në kartelizmin e tregut politik me qëllim fikjen e tij e të konkurrencës politike dhe vendosjen e hegjemonisë mono-partiake. Për këtë përdori dy rrugë.
Rruga e parë ishte futja e një pjese të opozitës nën tutelën e komandën e Kartelit nëpërmjet dhënies së favoreve ekonomike e pak politike në formën e marrëveshjeve të fshehta e gjysmë të hapura dhe kësisoj rënien e kuotave të konkurrencës politike.
Rruga e dytë ishte nisma për eliminimin e opozitës, nëpërmjet angazhimit të lidhjeve personale karteliste ndërkombëtare që pasonin me vendime politike si dhe nëpërmjet përdorimit të sistemit të kapur gjyqësor (pjesë e kartelizimit) e sistemit të kontrolluar zgjedhor.
Falë rezistencës së dëshmuar të opozitës, ky kartelizim ende nuk është realizuar dhe është kandili që mban gjallë shpresën e demontimit të këtij kartelizimi antidemokratik.
Kartelizimi nuk mbaron këtu.
Reforma në drejtësi është dëshmuar si një hap drejt tendencës kartelizuese të partisë Kartel. Me faktimin e kontrollit e dirigjimit politik, reforma ka deformuar “rivalitetin”, konkurrencën, apo “luftën” politikë-drejtësi, por njëherazi ka fshirë ekuilibrin e institucioneve e konkurrencën e tyre për të gjetur të drejtën. Avokatia mbetet e përbuzur, gjykimi i paragjykuar, ndërsa prokuroria e trysnuar vazhdimisht.
Ndërsa kulmin e kartelizimit PS e ka arritur brenda vetes së saj. Pas 2013 u zhduk çdo formë e konkurrencës së vlerave dhe meritave dhe gjithçka u rregullua sipas një piramide kontributore shpërblyese, nëpërmjet institucioneve dhe të ardhurave publike. Çdo gjë në kurriz të qeverisjes dhe interesit qytetar. Patronazhimi i egër politik dhe militantizmi i ndërsyer në kufijtë e jonjerëzores janë premisat e bërjes karrierë në një parti politike ku demokracia dhe nocioni i zgjedhjeve është varrosur dhe fatet janë marrë peng.
E sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, dhe vetë festa e partisë kartel u kartelizua.
Figurat butaforike qeveritare dominuan mbi pamjet e socialistëve të thjeshtë e të ndershëm.
Aferim festën!
Lavdi demokracisë së Kartelit!