Mirë që qeveria propagandon më të madhe simbole të kapitalizmit liberal, privatizimet, PPP-të, iniciativat private, po agjenci për kontrollin e tyre a ka?!
Faktet tregojnë se jo! Në rastin më të mirë janë totalisht të paafta e në rastin më të keq janë të korruptuara. Po të shohim vetëm sektorin e naftës, aty ku gjenerohen potencialisht të ardhurat më të mëdha dhe është pasuria më e madhe që ka vendi ynë, këtu shihet me qartë se kurrë mungesa e agjencive ligjzbatuese ose korruptimi total i tyre.
Siç kanë dalë faktet ndër vite ARMO vidhte sistematikisht dhe vetëm vitin që sapo u mbyll, nga të dhënat e puplikuara janë vjedhur mbi 60 milionë euro në taksa. Për të arritur tek rasti i këtyre ditëve: Ku rezulton se kompania Gulf mbasi u shet qytetarëve me mashtrim tollona me çmime gjoja të lira, fillon e mbyll pikat e karburantit dhe qytetarët kanë mbetur me letra pa pikën e vlerës në dorë (tollonat e Gulfit).
Një hulumtim i thjeshtë çfarë tregon? Në Shqipëri Gulf si brand (markë) nuk ka ekzistuar kurrë. Thjesht persona të specializuar me mashtrime në tregun e naftës sjellin në Shqipëri dy-tre shtetas të huaj, marrin pika me qera dhe vendosin tabela me brand-in Gulf.
Në fakt një brand i njohur ky, veçanërisht në SHBA. Por në fakt rezulton se vendosja e këtij brand-i në vendin tonë është falso, si mbështetës i të gjithë skemave mashtruese që ndodhin në këtë sektor. Pasi ligji 8450 i datës 24.02.1999 i ndryshuar, në nenin 15 përcakton qartë se stacionet e shitjes me pakicë të karburantit janë të detyruara të reklamojnë qartë në tabelë brand-in e karburantit që shesin dhe ta justifikojnë me dokumenta ligjore përputhjen e produktit që shesin me brand-in që mbajnë në tabelë.
Nga verifikimet e zhdoganimeve në 5 vite rezulton se në territorin e Shqipërisë nuk ka hyrë asnjë litër karburant i ardhur nga brand-i Gulf. Çka tregon se në keto pika dhe ky emër qe ditën që është themeluar në Shqipëri ka mashtruar konsumatorët me brand-in e cilësinë e tani edhe në mënyrë financiare.
Këto pika të marra me mashtrim nën emrin e Gulf pjesën më të madhe të shitjeve e ka bërë nga nafta e ARMO-s. E në vend qe konsumatorët ta shohin në tablevë që është naftë ARMO, e shohin Gulf dhe e marrin për produkt të tillë. I cili për çudi gjatë gjithë periudhës ka aplikuar në tabelë çmime 10-20% më të larta se tregu. Dhe tani mbasi ka bërë gjithë këto mashtrime në vite i patrazuar nga askush , përveç se ka krijuar detyrime ndaj personave që u ka marrë stacionet e karburantit me qera, furnitorëve dhe tatimeve befas del në treg me tollona me 120 lekë litri kur çmimi i tollonave është mesatarisht 160 lekë litri. E duke mbledhur shuma monetare akoma te papërcaktuara nga qytetarët, por siç tregojne sondazhet janë mjaft të larta. Më pas zhduket duke u lënë qytetarrëve letrat pa vlerë në dorë të quajtura “tollonat Gulf”. Pasi ka 3 ditë që qytetarëve që kanë blerë këto tollona nuk i përgjigjet kush në shume pika me furnizim nafte.
Tani a duhet ndoshta për herë te parë prokuroria të aktivizohet në mbrojtje të qytetarëve dhe të zbulojë kush janë ndërtuesit e vërtetë të këtyre skemave, kush fshihet pas gjoja investitorëve të huaj që vijnë e brand-eve false që vendosin dhe të vënë para përgjegjësisë punonjësit e institucioneve ligjzbatuese që majmën me taksat tona dhe nuk na shërbejnë për asgjë…
Lind pyetja? Ç’punë bëjnë Inspektoriati Qendror Teknik, Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, Drejtoria e Markave e kështu me rradhë?! ShkodraNews