“Edhe njëherë theksoj se afera e djegësave është vjedhja e shekullit, kurse hetimi është hetimi i shekullit.
Artur Metani, informoj shqiptarët, se është bashkë me Engjëll Agaçin, njeriu që ka argumentuar, që ka marrë pjesë në të gjithë argumentimet ligjore të Këshillit të Ministrave.
Artur Metani, ish-drejtues i departamentit juridik të Këshillit të Ministrave, që është gardiani kryesor i vendimeve të Këshillit të Ministrave, bashkë me Agaçin kanë legjitimuar një procedurë krimi.
Artur Metani është i zhytur kokë e xhep në vjedhjen e shekullit. Ai, pa asnjë tagër, ka kryesuar mbledhjen me 5 zëvendësministra në Ministrinë e Mjedisit, e bërë me qëllim nga Edi Rama dhe Engjëll Agaçi për të shkelmuar strategjinë e hartuar me 4 mln euro investime të BE për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri me depozitim, seleksionim, riciklim.
Ky zotëri ka kryesuar mbledhjen pa asnjë tagër, thjesht për interesa të kupolës së mafies së plehrave.
Ndaj i kërkoj dorëheqjen e menjëhershme nga posti, sepse përbën kërcënim potencial madhor për të gjithë hetuesit dhe gjykatësit e kësaj çështje, pasi ai është vetë i inkriminuar plotësisht dhe tërësisht,” tha Berisha.