Dosja hetimore e SPAK-ut për inceneratorët ka disa detaje implikuese për Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi dhe ish-drejtorin Juridik, Artur Metani, megjithëse në pjesën e publikuar deri tani nga hetimi nuk përmenden emrat e përveçëm të dy bashkëpunëtorëve të ngushtë të Edi Ramës. Agaçi dhe Metani kanë pasur përgjegjësi ligjore për të verifikuar paraprakisht aktet që miratohen më pas në Këshillin e Ministrave. Këta dy zyrtarë i kanë dhënë rrugë miratimin të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 907, datë 17 dhjetor 2014, që lidhej me financimin e kontratës koncesionare për inceneratorin e Elbasanit.
Bashkëlidhur kësaj shkresë -thotë SPAK-u- është edhe kontrata koncesionare me Albtek Energy, e cila rezultoi e paligjshme. Në vijim, sipas SPAK-ut, Këshilli i Ministrave, me vendimin nr. 907, datë 17.12.2014, miratoi vendimin për dhënien e financimit për inceneratorin e Elbasanit. Siç konstatohet lehtësisht, vendimi i qeverisë është marrë në të njëjtën ditë që Lefter Koka i ka përcjellë projektin Ëngjëll Agaçit, pra pa pasur aspak kohë për të vlerësuar ligjshmërinë e akteve qeveritare. Agaçi deklaroi para Komisionit Hetimor Parlamentar për inceneratorët se ishte përgjegjësia e Lefter Kokës për procedurën e zgjedhur.
Por, nëse Koka ka vepruar në mënyrë anti-ligjore me kontratën, koncesioni u bë efektiv vetëm pas miratimit të financimit nga Këshilli i Ministrave.Dhe, Vendimi i qeverisë për financimin e kontratës së paligjshme të inceneratorit të Elbasanit, u miratua vetëm pasi Agaçi dhe drejtori juridik i Kryeministrisë, Artur Metani e përcollën projektin e Lefter Kokës në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.