Ish-kryeministri britanik, David Cameron, është rikthyer në qeveri në një zhvillim të papritur, duke marrë drejtimin e diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Ndryshimet në qeveri pasuan një fundjavë kaotike në kryeqytetin britanik. Analistët thonë se ndryshimet në kabinetin e kryeministrit kanë për synim tërheqjen e elektoratit që sipas sondazheve aktualisht mbështet më shumë Laburistët në opozitë.
Shtatë vjet pasi u largua nga posti i kryeministrit, pas humbjes së referendumit për tërheqjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, ish-kryeministri David Cameron është rikthyer në qeveri, duke marrë drejtimin e diplomacisë pas një riorganizimi të kabinetit të hënën.
‘Është një kohë kur vendi ynë po kalon sfida të vështira. Konflikti në Lindjen e Mesdhe dhe lufta në Ukrainë’, tha zoti Cameron.
Lufta në Gazë vazhdon. Në postin e kryeministrit, në vitin 2010, zoti Cameron e quajti Rripin e Gazës ‘një kamp burgimi’, pavarësisht se Londra mbajti një aleancë të ngushtë me Izraelin.
‘Disa nga konfliktet në Lindjen e Mesme nuk kanë ndryshuar. David Cameron mbahet mend për ndërhyrjen në Libi, që nuk ishte suksesi më i madh’, thotë Bronwen Maddox me ‘Chatham House’.
Profesori Anand Menon me ‘King’s College’ thotë për Zërin e Amerikës se politika e jashtme britanike nuk ka gjasa të ndryshojë.
‘Është një sinjal kryesisht për audiencën vendase,’ deklaroi ai.
Në vitin 2015, kur drejtonte Britaninë, zoti Cameron e joshi presidentin kinez me një vizitë shtetërore luksoze.
‘Kjo vizitë shënon fillimin e një epoke të re. Disa e kanë quajtur ‘epoka e artë’ e marrëdhënieve midis Britanisë dhe Kinës,’ kishte deklaruar zoti Cameron.
Që nga ajo kohë, marrëdhëniet Britani-Kinë janë përkeqësuar mes tensioneve të sigurisë dhe tensioneve gjeopolitike në rritje, thotë profesori Menon.
‘Epoka e artë ka mbaruar, apo jo? Mendoj se qëndrimi, veçanërisht brenda konservatorëve në parlament, është ngurtësuar në mënyrë të konsiderueshme ndaj Kinës’, shtoi zoti Menon.
Zoti Cameron zëvendëson ministrin James Cleverly - i cili merr rolin e sekretarit të brendshëm, duke zëvendësuar zonjën Suella Braveman, e shkarkuar të hënën.
Ndryshimet erdhën pas një shkrimi në gazetë, ku zonja Braveman e akuzoi policinë për njëanshmëri ndaj së majtës gjatë protestave pro-palestineze, të cilat ajo i quajti ‘marshime të urrejtjes’. Artikulli nuk ishte miratuar nga kryeministri Rishi Sunak.
Të shtunën, të paktën 300 mijë njerëz morën pjesë në një protestë pro-palestineze në Londër duke bërë thirrje për armëpushim. E djathta ekstreme reagoi me protesta të dhunshme, ndërsa policia bëri të paktën 120 arrestime.
Raportet flasin për një rritje të ndjeshme të sulmeve antisemite dhe islamofobike që nga shpërthimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit.
‘Nxjerr në pah ndarjet ekzistuese mes palëve, çka e bën më të mundshme që kjo lloj gjëje të shpërthejë përgjatë vijave politike partiake. Në rastin e konfliktit në Gaza, ndarja shfaqet në një formë më të mprehtë, duke patur parasysh dhunën e lartë nga të dyja palët në këtë luftë të tmerrshme’, thotë profesori Menon.
Analistët thonë se riorganizimi i kabinetit nga kryeministri është përpjekje për një apel më të gjerë të konservatorëve në pushtet, pasi Laburistët e opozitës kryesojnë në sondazhe ndërsa Britania shkon në zgjedhje përpara fundit të vitit të ardhshëm. /VOA