Nga SYRI TV
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpëtuar një tjetër kryebashkiak socialist nga kthetrat e Ligjit të Dekriminalizimit, duke vendosur mos t’ia ndërpresë mandatin, kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdarit, i cili kishte fshehur dënimin e marrë në Greqi, vite më parë.
Sipas Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashit, në kushtet kur vepra penale e konsumuar nga Hajdari nuk paraqet ndalim për të kandiduar, ai nuk ka pasur detyrim për ta deklaruar në formular.
Kanë qenë përfaqësuesit e partive politike të opozitës që kanë vënë në dukje, lapsusin e bërë nga Prokuroria, e cila teksa sjell në vëmendje përgjigjet e autoriteteve greke që Kreshnik Hajdari, ka qenë i ndaluar, në konkluzionet përfundimtare shprehen se ndaj tij nuk ka pasur masë dëbimi.
Vendimi i komisionerit Celibashi u kontestua nga kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë Kuçovë, Lefter Maliqi, i cili e denoncoi kryebashkiakun e Kuçovës për fshehjen e dënimit që kishte marrë nga shteti helen.