Gjokutaj: Masa ndaj Berishës rrjedh nga një proces antikushtetues dhe antiprocedurial penal

Tuesday, 21 November 2023 13:33

Sot, Gjykata e Posaçme e Apelit me relatore Ilirjana Olldashin, ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Jamarbër Maltezin nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Lajmin e dha avokati Genc Gjokutaj, i cili po ashtu njoftoi para mediave se të enjten do të zhvillohet seanca për humbjen e fuqisë edhe të masës së sigurisë ndaj z. Sali Berisha, pasi ai nuk paraqet rrezik të largohet nga vendi, 

 

Gjokutaj e cilësoi të gjithë procesin si politik dhe tha se beteja ligjore do të jetë e gjatë.

Gjokutaj tha: Gjykata shpalli vendimin duke miratuar për pjesën e z. Berisha dhe duke ndryshuar pjesën për Jamarbër Malltezin dhe duke caktuar masë sigurimi, atë të arrestit në shtëpi;  Jamarbër Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti dhe unë nuk dua të shtyhem më tutje.

 
 

Që kjo çështje është politike, po bëj me dije edhe këtë faqe të kallëzimit, në të cilin keni edhe kallëzimin, edhe regjistrimin e procedimit brenda një dite. Është e pamundur që për çështje të tilla voluminoze, brenda një dite kalendarike pune, të dorëzohet kallëzimi dhe të regjistrohet procedimi penal. Ne do të vazhdojmë betejën ligjore. Siç ju thashë, gjykimi dje u karakterizua nga një gjuhë e drunjtë e prokurorisë dhe një heshtje e gjykatëses, e cila në atë pozicionin e vet nuk ka rol aktiv.

Pyetje: Z. Gjokutaj, z. Berisha nuk po e zbaton vendimin e SPAK për t’u paraqitur para Prokurorisë së Posaçme. A përbën shkak kjo që ndaj z. Berisha të kërkohet një masë më e ashpër sigurie?

Gjokutaj: Ashpërsimi i masave të sigurimit ka të bëjë me rrezikun e ikjes. Z. Berisha nuk ka rrezik që të ikë. Siç ju thashë, dy herë në javë është në parlament, ndërkohë që prokuroria e kërkon njëherë në dy javë.  Por nuk është ky problemi. Problemi është ligjor, që ajo masë, detyrim paraqitje, rrjedh nga një proces antikushtetues dhe antiprocedurial penal.

Pyetje: Tani që Gjykata e Posaçme e Apelit e aprovoi edhe njëherë masën e detyrimit me paraqitje për ish-kryeministrin Sali Berisha, pyetja është a do të paraqitet Sali Berisha të hënën e parë të muajit dhjetor dhe të hënën e tretë të muajit dhjetor?

Gjokutaj: Po ne kemi seancë tjetër të enjten. Ditën e e enjte kemi seancën tjetër për humbjen e fuqisë. Ne do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore, beteja do të jetë e gjatë.

SPAK le të bëjë çfarë të dojë, unë flas për kriterin ligjor. Unë nuk mund të hipotezoj sot se ç’mund të mendojë SPAK-u. Jua thashë edhe njëherë. Rëndimi i masës së sigurimit është gjithmonë kur rriten nevojat e sigurimit. Dhe lidhet pikërisht me largimin e tij. Ai nuk largohet! Kjo është zgjidhja e gjithë këtij ekuacioni. Refuzimi i paraqitjes ka të bëjë me antikushtetueshmërinë pasi ai nuk është trajtuar për atë status juridik që ka, deputet, sepse është subjekt i posaçëm, në kundërshtim me të gjitha ligjet, praktikat, por është trajtuar në një mënyrë tjetër, ekstra, duke hequr një nga të drejtat themelore që deputeti i Republikës së Shqipërisë ka, atë të mbrojtjes në Kuvend.

Pyetje: Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë u çertifikua sot edhe nga Apeli.

Gjokutaj: Po sigurisht, unë thashë. Vendimi i Gjykatës është një kopje e keqe e vendimit të Shkallës së Parë. Kjo gjykatë pati durim për të dëgjuar, kurajo për të vendosur./ar.sh/SYRI.NET

Login to post comments