“Dy arsye bënë mbrëmë që Shqipëria të jehojë në titujt më kryesorë të medieve ndërkombëtare. E para ishte ndeshja përmbyllëse e Kombëtares në eliminatoret e EURO 2024; e dyta ishte, qëndresa e opozitës shqiptare në parlament kundër mobo-diktaturës apo narko-diktaturës së Edi Ramës.” - Me këto fjalë e nisi, lideri i opozitës, Sali Berisha, konferencën e sotme për shtyp me temë “Opozita në aksion".
Berisha tha: Dy arsye bënë mbrëmë që Shqipëria të jehojë në titujt më kryesorë të medieve ndërkombëtare. E para ishte ndeshja përmbyllëse e kombëtares në eliminatoret e Euro2024. E dyta ishte qëndresa e opozitës shqiptare në parlament kundër mobodiktaturës apo narkodiktaturës së Edi Ramës.
Për të parën le të shprehim ne urimin më të përzemërt, mbështetjen më të fuqishme kuqezinjve, ekipit, kapitenit dhe trajnerit të saj fantastik.
Për të dytën, duhet të theksoj se mediat më serioze të planetit, BBC, Fox News, ZDF, SKY, Washington Post, Guardian, Independent, Telegraph dhe dhjetëra e dhjetëra media në të pesë kontinentët, kishin në tituj kryesorë aksionin opozitar pa kthim të opozitës shqiptare.
Analistët e qeverisë, për të shumuar aksionin, për dezinformuar apo hedhur baltë mbi të, u shprehën se nuk ishte kjo një fitore, pasi buxheti u votua gjithsesi.
Mjerimi nuk ka kufi në mendim, përveçse këtë. Beteja e opozitës është për një qëllim madhor. Misioni ynë është shembja e diktaturës.
Diktaturat nuk shemben duke ndaluar një votim, por duke treguar të vërtetën njerëzve dhe opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar.
Dhe e vërteta mbrëmë u tregua pa asnjë filtër nga mediat më të fuqishme të botës.
Opozita i tregoi mbrëmë botës se kryeministri shqiptar, që herë vishet me atlete për modern dhe herë tjetër me çitjane për oriental, votoi dje në 4 minuta, në rekordin më të turpshëm botëror, buxhetin dhe kjo sepse ai nuk pranon të lejojë në përputhje me Kushtetutën, krijimin e komisioneve hetimore parlamentare për veten, familjen, sojsorollopin e tij dhe ministrat dhe zyrtarët e tij.
Opozita i tregoi botës se Edi Rama në fakt është një kryeministër, por pasi voton buxhetin, i ndalon opozitës të paraqesë ligje, duke i mohuar asaj 31 të tilla, pa proces të duhur parlamentar.
Opozita i tregoi botës të vërtetën se Shqipëria de facto nuk është më një demokraci, sepse Edi Rama kërkon t’i caktojë opozitës përfaqësuesit e saj, sepse Edi Rama e blindoi njëlloj si një narkodiktator në romanet e Markezit, që opozita të mos kërkojë të drejtat e saj.
Të drejtat kushtetuese që kërkojnë deputetët e opozitës në parlament, nuk janë të drejta personale të tyre, janë të drejta të 600 mijë votuesve që kanë votuar kundër qeverisë së Edi Ramës.
Pra, një fitore e madhe për opozitën kjo jehonë botërore e aksionit të saj pa kthim, e cila i çori maskën Edi Ramës dhe hap pas hapi do vijojë në këtë betejë pa kthim, deri në çmontimin e diktaturës në Shqipëri, deri në shpëtimin e Shqipërisë."
"Beteja pa kthim e opozitës në Kuvend synon të zgjojë luanët që janë në zemrat dhe shpirtrat e çdo shqiptari"
Berisha vazhdoi më tej: Dje, deputetët e opozitës, me guximin e tyre, ishin më përfaqësues se kurrë të popullit opozitar. Ata me aktet e tyre të mosbindjes civile, përcollën në mbarë botën zërin qytetar të opozitës, se në parlamentin shqiptar po vdes pluralizmi politik dhe se deputetët e opozitës me mosbindjen e tyre civile, janë të vendosur të mbrojnë atë me çdo çmim.
Beteja pa kthim e mbi 40 deputetëve të opozitës në parlament është një lëvizje simbolike, që ka për qëllim madhor t’i paraqesë botës të vërtetën e diktaturës së bandave në Shqipëri. Por njëkohësisht ka një qëllim madhor, të zgjojë luanët që janë në zemrat dhe shpirtrat e çdo shqiptari.
Zgjimi i çdo luani të fjetur është fitorja përfundimtare e demokracisë dhe përmbysja përfundimtare e diktaturës në Shqipëri.
Ndaj me këtë rast, duke shprehur vlerësimin tim më të madh për betejën pa kthim në parlament të deputetëve të opozitës, ftoj çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetar dhe qytetare, kudo që ndodhen, në Shqipëri, emigracion dhe diasporë, t’i bashkohet kësaj beteje për shpëtimin e Shqipërisë."