Çështja e gjykatëses së SPAK, Irena Gjoka, e cila rezulton e shkarkuar për korrupsion nga ish-Presidenti Sali Berisha në vitin 1996, njëherësh edhe kryetar i Këshillit të Lartë te Drejtësisë, ishte sërish sot temë me interes për mediat gjatë konferencës për shtyp të z. Berisha.
"E morët vesh ju?! Gjykatësja që fshihet prapa emrit të burrit, jam Gjoka, nuk jam Maneku!!! - ironizoi Berisha. - Po, u gjet dhe data. U gjet se ajo është ndëshkuar nga Këshilli i Drejtësisë.
Ditën e shtunë e paraqita shkresën. Ministria e Drejtësisë e ka pranuar se ndaj saj në vitin 1996 është marrë masë disiplinore shkarkimi.
E ka thirrur Ministria e Drejtësisë, ajo ka thënë nuk jam unë, se unë jam Gjoka, nuk jam Maneku!!!
E kuptoni se mbrapa kujt fshihet Edi Rama?! Po kjo është e paimagjinueshme.
Pra, është gjetur, është marrë masa, e ka kryer krimin sepse nuk duhej të gjykonte, duhej të shkruante se nuk mund të gjykoj këtë çështje sepse jam e shkarkuar direkt prej tij në vitin 1996.
Dhe tani që e gjeti Ministria e Drejtësisë dhe ia dha avokatit, më thonë se i ka thënë Ministrisë së Drejtësisë se unë jam Gjoka. Imagjinoni tani nëse një burrë ndërron mbiemrin sipas gruas, po mori dy gra, merr tre mbiemra dhe hajde gjeje kush është ai.
Po kjo ndodh vetëm në shtetin e dordolecit, nuk ndodh në një shtet tjetër. Ja, ky është procesi. Ndaj dhe nuk kam asnjë lidhje me vendimet që shkelin Kushtetutën e vendit. Po, e kam thënë të dërgojë kërkesën në parlament dhe unë e votoj. Unë e votoj, vota ime është që Sali Berisha, në përputhje me kërkesën e bërë, të shkojë të paraqitet për t’u marrë në pyetje."