Komuniteti ndërkombëtar ka reaguar me shqetësim për situatën e paprecedentë të krijuar në Parlamentin e Shqipërisë. Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe u kanë bërë thirrje palëve që të zgjidhin krizën përmes dialogut si dhe të garantojnë rolin mbikëqyrës të Parlamentit.
Në një reagim për Zërin e Amerikës, ambasada e SHBA –së në Tiranë, thekson se mosfunksionimi i Parlamentit gjatë këtyre muajve nuk është në interes të vendit.
AMBASADA E SHBA
E shqetësuar për zhvillimet e fundit në parlamentin e Shqipërisë. Një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t'u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar. Mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë.
Ndaj krizës që ka përfshirë Kuvendin e Shqipërisë ka reaguar edhe ambasada britanike e cila u bëri thirrje paleve që të punojnë së bashku me qëllim që të garantojnë rolin mbikëqyrës të Parlamentit.
AMBASADA BRITANIKE
‘Ambasada Britanike në Tiranë shpreh shqetësimin lidhur me zhvillimet më të fundit në Parlamentin e Shqipërisë. Një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive. U bëjmë thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve’, shkruhet në mesazhin e ambasadës britanike.
Të hënën, mazhoranca socialiste miratoi në parim projekt buxhetin e vitit 2024, një seancë e cila zgjati më pak se 5 minuta. Gjatë këtyre muajve, mazhoranca socialiste ka shkelur disa herë kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit duke refuzuar kërkesat e opozitës për ngritjen e 8 komisioneve hetimore parlamentare.
Po kështu shumica në Kuvend, ka refuzuar ndryshimin e përbërjes së anëtarëve të komisionit të reformës elektorale dhe në kundërshtim me rregulloren ka ndërhyrë edhe në çështjen e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Një situatë e tillë ka sjellë tensione të forta në seancat plenare dhe në komisionet parlamentare të cilat në kundërshtim me ligjin kanë operuar online. Po kështu është keqpërdorur nga mazhoranca edhe Garda e Republikës, dhjetëra efektivë të së cilës kanë mbushur sallën e Kuvendit apo korridoret e kryesisë së Parlamentit. Opozita ka akuzuar mazhorancën dhe shefin e saj Edi Rama se po dhunon të drejtat kushtetuese të opozitës, një situatë e paprecedent në 32 vjet pluralizëm politik në Shqipëri.