Në mbyllje të tryezës së organizuar për të diskutuar buxhetin e vitit që vjen, kryetari i opozitës, Sali Berisha, tha se Edi Rama largohet vetëm me mosbindje civile.
“Në diskutimet tuaja del qartë drama e tmerrshme në të cilën kalon sot Shqipëria.
Ne, jemi një popull që kemi përjetuar eksperimente, edhe të tjerët kanë përjetuar, por ne në shkallën më ekstreme në kuptimin e monizmit ekstrem.
Mirëpo ajo që theksoi zoti Kaprata ka një domethënie të jashtëzakonshme, kur kryeministri pasi ka përqendruar çdo gjë, merr të firmosë edhe lejet e ndërtimit, të cilat në çdo kod të botës janë atribute të qeverive vendore- dhe e vërteta është, meqenëse zoti Kaprata përmendi diktaturën, në shumë raste ato nuk ishin të komunitetit ekzekutiv, por të lokalitetit- kurse këtu një njeri që do të kontrollojë çdo gjë, dhe kjo nuk ndodh vetëm me kullat, jo, kjo ndodh absolutisht edhe me banesat dy dhe trekatëshe.
Mirëpo kur një njeri përqendron çdo gjë në duart e tij, dhe për hir të së vërtetës ky njeri vjedh me firmën e tij nga mëngjesi gjer në darkë, atëherë është ligj në doktrinën e korrupsionit se korrupsioni shndërrohet në sistem.
Atë e ndjekin vartësit me radhë. Kjo që ju paraqitët këtu, kjo është dëshmi e një sistemi të tmerrshëm korrupsioni që është vendosur këtu.
Imagjinoni për një moment, dy miliard euro në pllaka guri, të gjitha të nxjerra diku në Berat, diku në Skrapar, diku në Dibër, të cilat në mënyrë absolute në të gjitha variantet nuk mund të kushtonin më shumë se 200 milionë.
Në Shqipëri është vendosur një raport ku 80 ose 90 përqind e asaj që shpallet investim, vidhet. Shembull klasik janë djegësat.
Janë tre djegësa gjer sot, të shpenzuara 180 milionë euro, asnjëri nuk funksion dhe ai që herë funksionon, herë jo, ka kushtuar 11 milionë euro. I Tiranës nuk ekziston, por ka marrë 130 milionë deri tani.
Nyja te ‘Shqiponja’ ka kushtuar 27 milionë euro kilometri. Ka kushtuar një kilometër sa dy kilometra të tunelit të Kërrabës.
A mund të imagjinoni? Dhe meqenëse folëm për rrugët, duhet të dini një gjë, që këto rrugë janë një ndëshkim për shqiptarët, jo vetëm me kostot, po e po, se të ndërtosh rrugë me 10-fishin e çmimit, është krim i shëmtuar.
Por ka një problem tjetër po kaq të rëndë, koha e ndërtimit. Nëse ti, rrugën që duhet ta ndërtosh në dy vite, e zgjat në 12 vite, i humb çdo shans të leverdisshmërisë së saj. Të përfitimit prej saj, përkundrazi.
Rruga, kur është fizibël, fitohet 1 me 4. 1 dollarë investim, 4 fitim. Por me kusht kohën. Ka filluar rruga Qukës-Qafë Pllocë në vitin 2011, janë bërë 12 vite dhe rruga nuk përfundon.
Ka filluar Rruga e Arbrit, në vitin 2013 kemi lënë të përfunduara 32 kilometra, kemi lënë të papërfunduara 27 kilometra dhe sot ajo vazhdon.
Pra, jo vetëm që njëra anë është e tmerrshme, vjedhja që bëjnë. Por nga ana tjetër, zgjatja e tyre është një barrë shumë e rëndë për ekonominë.
Dhe kjo është në çdo sektor. Kjo është kudo.
Aspekti më dramatik i këtij megakorrupsioni, këtij megavjedhje, qëndron në pandëshkueshmërinë. Edi Rama që firmos edhe lejen e ndërtimit të një banese, dy kate apo tre kate, Edi Rama ka vendosur një kontroll total mbi drejtësinë dhe e përdor atë vetëm kundër personave të caktuar midis tyre, nga të cilët do të çlirohet.
Dhe ajo që është më e rënda, se përpiqet publikisht të gjithë përgjegjësinë ta shkarkojë.
Ky është njeriu që nuk mban asnjë lloj përgjegjësie.
E thamë, përdorimin e tokës për ndërtim. Një nga njerëzit që ka shkelur në mënyrën më thelbësore ligjin, është vetë ai.
Ajo pronë prej 5 mijë metrash është marrë në kundërshtim me ligjin. Me dokumente.
Por për të, ligji nuk ekziston, ligji është për të tjerët, për veten e tij ai ka kompetenca të tjera.
Pa diskutim që sugjerimet tuaja jashtëzakonisht të çmuara, do të jenë dhe do shndërrohen në pjesë thelbësore të alternativës tonë në të gjitha fushat, në infrastrukturë, bujqësi, energji, sport.
Harrove të thuash, i vetmi fakt dhe që i dha sukses ekipit është se nuk e pushtoi dot me Olsi Ramën. Se nëse do pushtonte federatën me Olsi Ramën, nuk do kishim futboll, por narkofutboll.
E thatë bukur që duhet të protestojmë. Dhe ajo që po bëjmë në parlament, kërkoj mirëkuptimin tuaj dhe të gjithë shqiptarëve. Ajo është betejë kundër grushtit të shtetit. Në mënyrë absolute, Edi Rama ka kryer grusht shteti brenda shtetit.
Sot kemi për herë të parë në 32 vite një qeveri moniste të një partie të vetme.
Pastaj kemi një drejtësi të vendosur e tëra në kontrollin e Edi Ramës.
Dhe tani, ajo që kishte mbetur, kishte mbetur një grup parlamentar me kompetenca kushtetuese, por të rëndësishme. E drejta kushtetuese e deputetëve për të krijuar komisione parlamentare, në kushtet e sotme, është rruga e vetme për qytetarët për të ushtruar sovranitetin e tyre.
Sovraniteti i brendshëm i një vendi është fuqia e një populli për të kontrolluar pushtetin e qeverisë. Ky nuk ushtrohet sot në asnjë lloj forme.
Përpiquni ju, merrni 200 mijë firma për referendum. Nuk bëhet dot asnjë referendum sepse ka kontroll të plotë mbi Gjykatën Kushtetuese.
Parlamentarëve u jep Kushtetuta të drejtën e vetos. Kur bëhen një e katërta, ata mund të kontrollojnë qeverinë. Dhe këtë ai e bllokon.
Nuk ka asgjë më të rëndësishme se aty ku lind padrejtësia, të protestohet.
Sot jemi në diktaturë. Diktatura nuk është gjë tjetër veçse përqendrim i të gjitha pushteteve në një dorë. Kurrë ndonjëherë nuk ka pasur një përqendrim kaq ekstrem në një dorë të pushteteve.
Ndaj dhe e thotë Heminguej diku, detyra e shkrimtarit është të luftojë me penë dhe pushkë. Unë nuk them të luftojmë me pushkë. Por luftohet me mosbindje civile, kjo është rruga e vetme.
Mosbindja civile është faktuar si rruga më e suksesshme për përmbysjen e diktaturave.
Edi Rama nuk largohet me votë, Edi Rama largohet vetëm me mosbindje civile.
Ndaj është në detyrimin tonë më madhor si intelektualë, që në natyrën tonë duhet të jemi avoketër të pamposhtur të interesit publik, duhet të bëjmë gjithçka të ngrihemi kundër këtij regjimi, të nxisim kudo revoltën, të nxisim kudo mosbindjen civile.
Sepse do mblidhemi prapë për buxhetin e vitit 2025. Është lule ky se si do jetë ai mbrapa.
Ndaj ju falënderoj shumë për ndërhyrjet tuaja shumë të dobishme dhe ju garantoj se do jenë elementë thelbësorë të programit që ju do hartoni dhe janë përgjigjia më e mirë për problemet me të cilat përballet çdo sektor.
Ndaj ju ftoj që të bëjmë gjithçka aty ku jemi, të nxisim revoltën, të nxisim mosbindjen civile.
Vetëm revolta dhe mosbindja civile janë kushti i të gjitha kushteve për të adresuar problemet jashtëzakonisht të rëndësishme që shtruat në këtë takim,” tha Berisha.