Konkursi i dalë boje/ Si e ka paracaktuar Edi Rama zëvendësuesen e Ilir Beqajt

Hënë, 04 December 2023 22:29

Nuk është lajm që konkurseve të Rilindjes për emërime njerëzish nëpër institucione të ndryshme publike iu ka dalë boja me kohë. Për të zëvendësuar Ilir Beqajn në Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), qeveria ka sajuar me shpejtësi dhe në errësirë një konkurs, ku fituesi është i paracaktuar. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, shkeljet s’kanë të ndalur.

Pasi e kishin publikuar njoftimin në faqen e Kryeministrisë, qeveria kujtohet se fituesja e paracaktuar për të drejtuar SASPAC, nuk i ka 15 vite pune sikundër sanksionohej në VKM-në e para dy viteve përmes së cilës u emërua Ilir Beqaj. Në këto kushte njoftimi i publikuar në datën 22 nëntor fshihet me urgjencë nga faqja e Kryeministrisë.

 

 
 

Image

 
 
 
 

Linku https://www.kryeministria.al/newsroom/47847-2/

 
 

Me vendim qarkullues një ditë më pas, qeveria detyrohet të ndryshojë VKM-në për kreun e SASPAC. Hiqet kriteri prej 15 vitesh përvojë pune dhe zbret në 7 vite. Një burim i tha Lapsi.al se konkursi fasadë është sajuar për të çuar në krye të SASPAC një ish-sekretare paradhome të një prej ministrave të Ramës.

Së fundi vajza në fjalë ka vetëm disa muaj përvojë si drejtuese e nivelit të ulët brenda një ministrie. Pikërisht për këtë është ndryshuar VKM-ja duke zbritur përvojën e punës nga 15 vite në vetëm 7 vite. Dhe sërish ajo nuk i përmbush kriteret sepse si drejtuese ka vetëm disa muaj përvojë.

Image

Njoftimi i ri është publikuar më pas në datën 24 nëntor dhe është lënë online deri më datën 1 dhjetor. Pra, vetëm 7 ditë nga të cilat vetëm 2 ishin ditë pune për shkak të festave të nëntorit. Edhe këtu është një shkelje flagrante e Kodit të Punës, që parashikon së paku 15 ditë shpallje për pozicione të tilla.

Lëvizjet e qeverisë për kreun e kësaj Agjencie shihen me shqetësim edhe nga Delegacioni i BE në Tiranë, i cili punon ngushtë me SASPAC për të menaxhuar fondet IPA dhe programet e tjera europiane në ndihmë të Shqipërisë. Kujtojmë që vendi ynë ka një ‘damkë’ në Bruksel me vjedhjen e fondeve të programit IPARD për bujqësinë, duke bërë që ky program të pezullohet.

Kush i ka lexuar këto radhë me siguri që ka menduar se ndoshta është e tepërt të pretendosh konkurse e meritokraci për rekrutimin e njerëzve në administratë. Kur Rilindja e ka ngritur korrupsionin në sistem dhe është bërë njësh me krimin, është vërtet luks i madh të pretendosh konkurse të drejta për ata që duan të punojnë në shtet.

Login to post comments