"Një ndër dosjet që ka marrë Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit ka qenë edhe dosja e përfitimit të parave nga Elton Bualli, njëri prej individëve dhe punonjësit e inceneratorit të Tiranës, që u përdor për një serë që është ndërtuar në landfill, një dosje për të cilën janë pyetur edhe ekspertë shqiptarë."
OLAF, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit vazhdon t'i mbajë të bllokuara fondet e BE për bujqësinë në Shqipëri, 146 milionë euro për fermerët dhe blegtorët të programit IPARD III, pasi zbuloi abuzimet e rënda që ishin bërë në dy fazat e para, përvetësimin e miliona eurove nga individë dhe subjekte në Shqipëri që nuk kishin lidhje me fushën.
Por, në dosjen e provave që ka mbledhur Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit rezulton se nga fondet për bujqësinë kanë zhvatur edhe bosët e inceneratorëve. Dhe si i kanë futur duart?! – Duke financuar një serë mbi truallin e ndotur të landifillit të Sharrës.
Znj. Brisida Shehaj, eksperte e ekonomisë, e cila i zbuloi këto fakte të ndërlidhura vjedhjeje shtetërore, shprehu bindjen se pavarësisht se në heshtje, edhe në Shqipëri, në SPAK, hetimi ka nisur. Shehaj ishte e ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV dhe pyetja e parë që iu bë ishte:
Po në Shqipëri, a kanë nisur hetimet për abuzimet me fondet e bujqësisë që ka dhënë Bashkimi Europian?
Shehaj: Ne nuk e kemi 100% të sigurt që nuk ka një hetim. Unë kam dyshimet e mia që ka një hetim të hapur nga SPAK-u, por duhet ta theksoj se reagimi i OLAF (Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit) ishte shumë më i shpejtë sesa reagimi i SPAK.
Një ndër dosjet apo dokumentacioni që ka marrë OLAF, në dijeninë time 100% të saktë, ka qenë edhe dosja e përfitimit të parave nga Elton Bualli, njërit prej individëve dhe punonjësi e inceneratorit të Tiranës, që u përdor për një serë që është ndërtuar në landfill - një dosje për të cilën janë pyetur edhe ekspertë, të cilët në fakt e kanë të pamundur për shkak të klauzolave të konfidencialitetit dhe dëshmisë që kanë dhënë para prokurorëve të OLAF (Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit), sepse ata janë si prokurorë. Pra, ekspertët shqiptarë kanë dhënë dëshminë e tyre për këtë gjë.
Kafe Shqeto: Po thua që inceneratori i Tiranës është financuar me para të destinuara për fermerët dhe kanë bërë një serë aty?
Shehaj: Po, sera është, por me shqetësimin tim shumë të madh sepse ajo serë është ndërtuar mbi një tokë të kontaminuar, e cila vazhdon të kontaminohet dhe sot që flasim, jemi përpara një emergjence mjedisore, sepse mbetjeve thjesht u ka kaluar një rul përsipër. Nuk janë kapsuluar sipas standardeve që duhet për të mos kontaminuar tokën dhe ujërat. Nga një analizë që i është bërë ujit, ndoshta në vitin 2021, edhe ujërat aty kanë dalë të kontaminuara me nivele shumë të larta të salmonelës. Por në nivele shumë të larta.
Edhe pse analiza është bërë në një laborator dhe është kontaktuar me institucionte shtetërore, nuk ka pasur asnjë lloj reagimi! Imagjinoni: një tokë e kontaminuar, me ujëra të kontaminuara se çfarë produkti mund të japë!
Inceneratori i Tiranës vetë ka financuar 500 mijë euro për atë serë, pra ia ka dhënë një punonjësi, borxh. Punonjësi ka krijuar një “person fizik”, gjithë korrespodenca dhe gjithë konsulenca është dhënë nga firma e Stela Gugalljes. Këto dokumente janë çuar në AZHBR, pra, edhe kontrata me kompaninë e Stela Gugalljes dhe më pas shteti i ka dhënë diku tek 300-400 mijë euro investim nga fondet e IPARD për të bërë atë serën “e mrekullueshme” atje ku nuk trajtohen mbetjet. Shpresoj që t’i hanë vetë ata, t’ia çojnë Mirelit (Mërtiri) atje në Vjenës t’i hajë ato produkte që dalin nga ajo serë.
Ajo që duhet të them është se OLAF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit) e mori shumë seriozisht këtë dosje dhe është pjesë e investigimit që ka bërë.
Unë personalisht, denoncimin publik për këtë dosje e kam bërë përpara një viti e ca me dokumente të plota. Këto dokumente janë depozituar me firmën e deputetit Petrit Vasili edhe pranë organeve të SPAK dhe deri më sot nga SPAK nuk ka reagim, por Bashkimit Evropian sigurisht i dhimbsen paratë e qytetarëve të vet dhe vendosi bllokimin e fondeve.
Në opinionin tim për aq sa i njoh këto procedura, do të duhet minimalisht edhe një vit për t’u rihapur – ndoshta, – këto fonde.”/ar.sh/SYRI.NET