Prokuroria dhe Gjykata e Sarandës nxituan të lironin nga qelia shefin e flotës së anijeve të kompanisë “Rozafa”, Andon Nako, si edhe katër marinarë të kompanisë, me origjinë egjiptiane, të arrestuar nga Policia Kufitare dhe Guardia di Finanzia, nën dyshimet se kishin vjedhur një mjet lundrues velierë në Portin e Limionit të Sarandës.
Në 16 nëntor 2023, prokurorja Esmeralda Basho dhe gjyqtari Entiljano Spahiu u dakordësuan që të hetonin në liri 5 personat, pavarësisht se ngjarja ka shumë pikëpyetje.
Një prej të arrestuarve, Nako, në deklarimet fillestare për policinë, ka deklaruar se veliera është gjetur e braktisur nga një anije e kompanisë “Rozafa”, në ujërat pranë Siçilisë rreth muajit qershor 2023, por pa dhënë një datë konkrete.
Sipas tij, janë kontaktuar autoritetet italiane dhe ato kanë lejuar që anija “Rozafa” të marrë velierën pa zot drejt Shqipërisë, megjithëse, siç pranon Nako, nuk kanë marrë asnjë dokument nga policia e vendit fqinj.
Në bazë të rregullave ndërkombëtare, mjetet lundruese të braktisura në det bëhen pronë i atyre që i gjejnë. Por, nga gjetja e deri tek marrja e pronësisë, duhen kaluar një seri procedurash dhe më së pari kryhen verifikimet nëse mjeti mund të jetë përdorur për veprimtari kriminale.
Shefi i flotës së Gjergj Lucës, Andon Nako, ka deklaruar para hetuesve se mjetin e kanë ankoruar në Sarandë, deri sa të kryheshin procedurat hetimore dhe verifikuese nga prokuroria e qytetit dhe autoritetet e tjera kompetente.
Prokuroria e Sarandës ka vendosur mosfillimin e procedimit penal, gjë që do të thotë se ka kryer vetëm disa veprime sipërfaqësore paraprake, por asnjë hetim, më së paku për të mësuar se kush ka qenë pronari i këtij mjeti të braktisur.
Në vendimin e prokurorisë, sipas asaj që thonë stafi i “Rozafa-s”, prokuroria ka shënuar se mjeti duhet t’i kthehej pronarit, nëse njihej.
Në vijim, përfaqësuesit e kompanisë “Rozafa” deklarojnë se kanë marrë një autorizim nga Kapiteneria e Portit Durrës, në të cilën u jepej e drejta që ta ankoronin velierën në Durrës, me kushtin që të merrnin lejet nga autoritetet përkatëse në Sarandë, e konkretisht tek prokuroria e më tej tek autoritetet portuale të qytetit jugor.
Nga hetimi paraprak rezulton se Andon Nako nuk ka komunikuar me asnjë autoritet në Sarandë për lëvizjen e velierës. Madje, as marinarët egjiptianë të anijes “Rozafa 14”, që gjendej e ankoruar në Portin e Limionit, nuk kishin informacion se do të rimorkionin velierën, pasi ishin në gjumë
Nako ka urdhëruar rimorkimin e velierës dhe nisjes drejt Durrësit, pa vënë në dijeni policët e turnit në port. Këta të fundit, nga mungesa e vëmendjes, kanë konstatuar vetëm në mëngjes që veliera nuk gjendej në port dhe kanë njoftuar Sallën Operative të Policisë së Sarandës.
Veliera e rimorkiuar nga “Rozafa 14”, u kap pranë Sazanit nga Guardia di Finanza dhe Policia Kufitare, të cilat i detyruan që të kthehej në portin e Vlorës për procedurat e tjera.