Berisha: A ka njeri të lirë sot të mos pranojë se shumica e demokratëve kanë zgjedhur si kreun e tyre, Sali Berishën?!

E mërkurë, 27 December 2023 13:05

Nga fjala e kreut të opozitës,  liderit historik të PD-së, Sali Berishës, në protestën që po zhvillohet përpara Gjykatës së Lartë për vulën e PD-së.

Berisha: "Gabimi më i madh që mund të bëjë qytetari është që ta marrë ligjin të mirëqenë, liritë e tij të mirëqena. Kosto e këtij gabimi është vetë liria. Njeriu i lirë është ai që zbaton ligjin, por duke qenë vigjilent se mos ai ligj po përdoret kundër tij. Vetëm skllavi do pranonte që gjykatat, që shkelin ligjin, që shtypin lirinë e tij, të përcaktojnë fatin e tij. Kjo është diferenca mes njeriut të lirë dhe skllavit.

Kështu që a ka njeri të lirë sot të mos pranojë se shumica e demokratëve kanë zgjedhur si kreun e tyre, si lider të PD-së, Sali Berishën.

Kjo është e faktuar me dy palë zgjedhje dhe me tre votëbesime. Kjo është e faktuar me mbi 500 mijë vota jo më larg se 7 muaj më parë. Kjo është e faktuar nga një proces votëbesimi jo më larg se një muaj më parë.

 
 

A ka njeri të lirë sot që të mos pranojë se PD, vula, sigla, selia e saj, u përkasin demokratëve dhe vetëm demokratëve?

A ka njeri të lirë sot që të besojë se gjykata dhe jo demokratët, duhet të vendosin se e kujt është PD, vula, logoja e saj, se kush është kryetari i PD?

A ka njeri të lirë sot që pajtohet se logo e partisë më të madhe opozitare të vendit mund të jepet sikur të ishte një plaçkë një njeriu që ka tradhtuar gjithçka, duke nisur nga qenia e tij gjer te mbështetësi më i fundit i tij?

A ka njeri të lirë sot që mendon se Lulzim Basha mund të bëjë një opozitë duke iu dhënë simboli i PD?

A ka njeri të lirë sot që të tresi rrëmbimin nga gjykata të simbolit të PD? 

Cili është ai skllav që thotë se ky vendim duhet zbatuar vetëm pse doli nga gjykata, armë e diktaturës së re, e diktaturës së bandave, diktaturës së krimit?

Cili është ai skllav që do lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit, me urdhër të Edi Ramës, t’i konfiskojë Shqipërisë opozitën, për të cilën ka nevojë, siç ka nevojë zogu për ajrin për jetën e tij?

Cili është ai skllav që do lejojë një gjykatë në shkelje të ligjit të varrosë pluralizmin në Shqipëri? Ky akt ndodh vetëm e vetëm që të kemi një Shqipëri pa opozitë.

Jo vetëm demokratët, por edhe çdo shqiptar që pajtohet me këtë vendim, do pranojë një nënshtrim poshtërues. Janë 600 mijë shqiptarë që këtë vendim nuk mund ta pranojnë kurrë. Janë 2 milionë shqiptarë që me këtë vendim duan t’i lënë pa një opozitë për t’i mbrojtur një regjim."

Login to post comments