Gjokutaj: Mbikëqyrja policore në arrest shtëpie ndaj z. Berisha, masë esktraligjore, nuk e dimë si do procedohet

Saturday, 30 December 2023 15:25

Avokati i liderit të opozitës, Genci Gjokutaj, tha se vendimi i GJKKO sot për heqjen e lirisë, liderit të opozitës Sali Berisha, “pritej, sepse kjo gjykatë ka bërë edhe shkelje më të mëdha dhe në vazhdën e tyre ishte edhe vendimi i sotëm.”

Ai tha para mediave se në fakt ndaj z. Berisha ishin vendosur dy masa shtrënguese, arrest shtëpie dhe ndalim i daljes jashtë shtetit, por më shqetësuesja ishte ajo e ndalimit të komunikimit. Ndërsa përsa i përket mbikëqyrjes policore, kjo ishte masë ekstraligjore, sepse arresti shtëpiak nuk shoqërohet me mbikëqyrje policore. 

Duke iu përgjigjjur pyetjeve të gazetarëve, Gjokutaj shpjegoi se:

“Gjykata do të japë një shkurtim vendimi, ekzekutimin e bën SPAK me oficerët e policisë së tij. “

 
 

Pyetje: A do t’i ndalohet z. Berisha edhe komunikimi në rrjetet sociale?

Gjokutaj: Vendimi ishte i thatë: “Ndalim i komunikimit përveç personave të familjes”.

Pyetje: A keni folur me z. Berisha, a do ta zbatojë këtë vendim apo jo?

Gjokutaj: Kjo nuk është pyetje, a do ta zbatojë apo jo. Ai ndodhet në banesë, kështu që ne do të ndjekim rrugën e ankimit sipas ligjit brenda afatit ligjor.

Pyetje: Po nëse Berisha e thyen masën e arrestit?

Gjokutaj: Tashti, bëni një pyetje që është për t’u bërë, jo për të shuar kuriozitetin se çfarë do të ndodhë.

Pyetje: Kur flet gjykata për mbikëqyrje policore, si e specifikoi?

Gjokutaj: E specifikoi “nën mbikëqyrjen policore”. Kaq. Kaq, nuk e dimë mënyrën se si do të procedohet. Kjo është ekstraligjore, sepse asnjëherë arresti i shtëpisë nuk shoqërohet me mbikëqyrje policore.

Login to post comments