"Rama do të bëjë gjithçka për të mbajtur pushtetin, sepse në qoftë se ai qëndron 24 orë pa postin e Kryeministrit, ai arrestohet! Në këtë kontekst, ai do të bëjë gjithçka për ta mbajtur.”
Kështu gjykon z. Klevis Balliu, Sekretar Organizativ në PD, i pyetur sot nga gazetari Bled Marku në Syri TV, lidhur me aktet që po kryen kreu i qeverisë socialiste kundër opozitës në vazhdimësi, me sytë drejt zgjedhjeve të vitit 2025.
“Unë pres dhe goditje të tjera ndaj opozitës, - nënvizoi Balliu, - sepse kjo qeveri është tanimë e kapur në çdo segment të saj për korrupsion, për vjedhje dhe ka vetëm një formë që kjo qeveri të vazhdojë dhe të mbijetojë e ajo është zhdukja e çdo njeriu që i denoncon ata, zhdukja e çdo segmenti opozitar që i kërcënon pushtetin e për këtë nuk kanë asnjë masë.”
Por, ne nuk duhet të merremi me se çfarë do të bëjë qeveria, - theksoi demokrati. - Qeveria do të bëjë gjithçka. Ne duhet të merremi me çfarë bëjmë ne. Ata janë kriminelë, janë hajdutë, atë punë kanë, atë detyrë: të shkatërrojnë vendin, të vjedhin, të shpopullojnë vendin. Ne - duhet të kemi një qasje tjetër ndaj tyre. Ne - duhet të kemi qasjen që do të kishte çdo opozitë në botë kundrejt një regjimi diktatorial. Regjimet nuk rrëzohen as me diskutime, nuk rrëzohen as me debate. Regjimet rrëzohen me aksion.
Opozita ka për detyrë të punojë në bazë dhe në çdo rrugicë të Shqipërisë për të informuar dhe për të mbledhur qytetarët në mënyrë që ne të zbresim dhe të mbushim çdo shesh në të gjithë vendin. Kjo është detyra që ka opozita.
Në qoftë se do të mbetemi peng i diskutimit se kush, çfarë apo si, ato janë diskutime të cilat bëhen në shtete normale ku funksionon drejtësia.
Në qoftë se ne do të ishim një shtet normal, Sali Berisha sot nuk do të ishte në arrest shtëpie.
Në qoftë se ne do të ishim një shtet normal, gjykatat nuk do të mbanin peng Partinë Demokratike me diskutimet dhe debatet e vulave, por sot vula do të ishte te dora e demokratëve.
Në qoftë se ne do të ishim një shtet normal, sot Jamarbër Malltezi nuk do të ishte në arrest shtëpie se ka përfituar nga pronat të cilat ia kanë lënë trashëgimi vetë familjarët e tij, por do të ishte Olta Xhaçka - e cila ka vjedhur pronën e të gjithë ne qytetarëve, të shtetit shqiptar dhe e ka bërë burrin e vet “Investitor Strategjik”.
Pra, ne nuk jemi shtet normal. Duhet të ndalojmë së menduari sikur jemi shtet normal dhe aksionet tona nuk mund të bëhen sikur jemi në një shtet normal.
Ne duhet të ndërmarrim aksion kundër regjimit. Aksionet kundër regjimeve janë të ndryshme nga aksionet opozitare kundër një qeverie që ka shkelur një ligj apo një tjetër”, theksoi z. Klevis Balliu./ar.sh/SYRI.NET