A mund ta pish Kryeministër, një gotë nga uji i Postribës? - Revolta e banorëve, guroret, denoncimi në SPAK

Premte, 12 Janar 2024 13:27

Mbi gjashtëmijë banorë të Postribës në Shkodër janë vënë në alarm për ujin e ndotur që ndërmarrja shtetërore e Ujësjellësit ua dërgon nëpër banesa dhe i detyron edhe që ta paguajnë. Uji i ndotur që nuk pihet më e nuk shërben as për vaditje, më në fund i ka nxitur banorët të bëjnë kallëzime në Policinë e Shkodrës, në Prokurori, në SPAK, madje t’i kërkojnë edhe takim kryeministrit. Po ndërsa institucionet i kanë pranuar paditë e protestuesve dhe nën zë së paku e pranojnë se ajo që ato dy gurore po i bëjnë ujit që furnizon Postribën është krim, Edi Rama i ka shpërfillur me përbuzje banorët dhe ka refuzuar çdo takim me ta.

Muhamet Uraj, një nga protestuesit, foli sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV për këtë protestë, këtë revoltë, që nuk ka nisur sot, por që në vitin 2017, kur dy gurore të një firme me emër nisën shpërthimet që i tmerrojnë njerëzit natën, nisën të mbulonin me pluhur guri fushat, por mbi të gjitha nisën të helmojnë ujin që furnizon shtëpitë.

 
 

“Problemi më i madh që kemi ne është uji, - shpjegoi Uraj. -  Që nga viti 2017, që kanë ardhur ato gurore, neve na vjen uji i turbullt. Sa herë që ka reshje sado të vogla shiu! E kemi ngritur disa herë këtë problem, kudo. Nuk është se kemi marrë përgjigje. Thjesht një takim të shkurtër na kanë bërë sa për të na hedhur... Na kanë larguar. Asnjë reagim, asnjë zgjidhje!

Kanë dhe probleme të tjera banorët aty afër guroreve, se kanë tokat, është kanali vaditës ekzistues aty, që nga inertet është bllokuar pothuajse totalish; janë varret e fshatit aty pranë; ka shumë problematika, por më kryesori dhe më jetiku, është problemi i ujit.

Ne na vjen uji, por ai as për vaditje nuk është, jo për ta konsumuar! Këtu në Postribë me atë ujë furnizohen shkollat, qendra shëndetësore dhe të gjithë banorët.

Po duke e pasur ujin në shtëpi, ne detyrohemi të shkojmë nga Postriba nëpër fshatra e njësi të tjera, deri në Malësi të Madhe që të mbushim ujë për të pirë! ”  

Uraj shprehu shqetësimin se “e kemi kërkuar disa herë zgjidhjen e këtij problemi, por ka rënë në vesh të shurdhër. Deri më sot nuk ka ende asnjë reagim nga institucionet. Kemi qënë në SPAK, në prokurori, në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Dje me ne kanë qënë dhe disa përfaqësues të Krimit Ekonomik, që e panë situatën dhe me fjalë e pëshkruan si krim, por... presim, presim.”

Nga kjo situatë preken 6-7 mijë banorë, - nënvizoi ai. -  Unë kam 32 vjet që këtu dhe kemi pasur probleme jashtëzakonisht të mëdha me ujin. Në vitin 2011 ky ujësjellës është bërë i ri dhe ne e kemi gëzuar atë ditë si ditë Bajrami. Kishim 24 orë ujë, po sa erdhën guroret, uji nuk është më i pijshëm dhe nuk bën as për vaditje.”

Po si do të vazhdojë tani protesta e tyre, në kushtet kur shteti nuk reagon? - “Faturat e ujit nuk do të paguhen nga banorët deri në zgjidhjen e problemit” - paralajmëroi Muhamet Uraj, si fillim.

Problemet që guroret sjellin pranë zonave të banuara në kushtet kur nuk respektojnë lejet e dhëna nga shteti, nuk janë të reja dhe nuk kanë kaluar pa konflikte. I pyetur në këtë emision se në pronësi të kujt janë këto gurore që po helmojnë ujin e mijëra banorëve me leje nga Qeveria, z. Uraj u mjaftua duke thënë se “nuk janë emra të panjohur”.../ar.sh/SYRI.NET

Login to post comments