Pakti Rama-Meloni/ Grupi parlamentar i PD kërkon seancë të hapur në Gjykatën Kushtetuese

Premte, 12 Janar 2024 13:25

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese, që seancën për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë, ta shqyrtojë në seancë të hapur për publikun.

Në shkresën drejtuar këtij institucioni dhe që mban firmën e kryetarit të grupit, Gazment Bardhi, argumentohet fakti se  seanca duhet të jetë e hapur për mediat dhe publikun, pasi mbart një rëndësi të veçantë.

“Duke pasur parasysh interesin e veçantë publik që mbart shqyrtimi i kushtetutshmërisë së protokollit, pretendimet e kërkuesit lidhur me mungesën e transparencës dhe konsultimit në fazat e negocimit dhe nënshkrimit, praktikën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese si dhe parimin e transparencës mbi të cilën e kryen veprimtarinë e saj gjykata, në mbështetje të nenit 21, pika 1, të ligjit nr 8577/2000, nenit 5, pikat 1, 2 dhe 4, nenit 26, pika 2, nenit 33, pika 3, nenit 37, pika 1 të rregullores përfundimisht kërkojmë shqyrtimin e çështjes në seancë plenare publike”, shkruan Bardhi.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese pezulloi ratifikimin në Kuvend për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët duke marrë në shqyrtim çështjen. Seanca për shqyrtimin e dokumenteve u vendos të mbahet me 18 janar.

Marrëveshja e firmosur mes dy qeverive u kundërshtua nga deputetët e opozitës.

Më 6 dhjetor, 30 deputetë paraqitën në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë zyrtare për kontrollin e kushtetutshmërisë në protokollin të nënshkruar mes Këshillit të Ministrave të vendit dhe qeverisë italiane.

Kjo kërkesë u paraqit para ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, pasi sipas palës opozitare nuk është respektuar procedura e negocimit dhe nënshkrimit, pasi protokolli bën pjesë në ato kategori marrëveshjesh që kërkojnë autorizimin e presidentit.

ImageImageImage

Modifikuar më Premte, 12 Janar 2024 13:36
Login to post comments