Berisha: Sapo mori pushtetin, Ramës i’u zgjuan demonët e etërve xhelatë. Arrestoi 38 mijë shqiptarë brenda vitit

Saturday, 13 Janar 2024 12:53

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama, se pasi mori pushtetin në vitin 2013, iu zgjuan demonët e etërve të tij xhelatë.

Në protestën e 12 rresht poshtë banesës së kryedemokratit, ku po vuan dënimin politik të dhënë nga gjykata e dirigjuara nga kryeministri, Berisha theksoi se brenda 1 viti, Rama arrestoi 38 mijë shqiptarë. 

 

Berisha: Të dashur qytetar e qytetare, demokrate e demokratë.

Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme për ju, që mblidheni çdo natë në këtë rrugicë, si simbol shprese, guximi si inkurajim për çdo shqiptar.

Si misionar të vërtetë të një beteje të re, pa kthim, jetike dhe vendimtare për çlirimin e këtij vendit nga diktatura e aleancës me krimin, drogën dhe korrupsionin.

Tek flas sot para jush, dëshiroj të ftoj çdo shqiptar, shqiptare kudo që ndodhet të shtrojë vetes një pyetje; si arritëm ne gjatë këtyre 10 viteve, si arritëm ne, kombi që vuajti sa as një komb tjetër në Europë nga diktatura më e egër e kohërave, të biem përsëri pas 32 vitesh në një diktaturë të re.

Si arritëm ne që dorëzuam 10 vite më parë pushtetin me votën e shqiptarëve, që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, anëtarësuam Shqipërinë në Këshillin e Europës dhe morëm vendimin për statusin e kandidatit.

Si arritëm ne që dolëm nga honet e varfërisë dhe mjerimit në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.

Si arritëm ne, njerëzit nga më të varfrit dhe të keqpaguarit në Rajon dhe Europë te jemi ndër më të mirëpaguarit në Europë.

Si arritëm ne pas gjitha këtyre në 10 vite të zhytemi përsëri në tmerrin e një diktature të re.

Ftoj shqiptarët të shtrojnë një pyetje edhe një herë; çfarë arme përdori Edi Rama për të zhytur këtë vend në shtypje, për të përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij.

Ai përdori armën që kanë përdorur të gjithë diktatorët në të gjitha kohërat, ai përdori armën që etërit e tij e përdorën mbi shqiptarët, ai përdori armën e frikësimit të qytetarëve.

Të dashur miq!

Rikujtoni pak se si ky person, pasi erdhi në pushtet, kalonte nga studio në studio televizive me hekura në dorë, duke bërtitur se do të bëjë shtet.

Mos harroni se si para syve tanë arrestoi në 1 vit, 38 mijë shqiptarë në tërësi për çështje civile, që nuk arrestohen kurrë në një vend të lirë.

Tek Edi Rama, sapo mori pushtetin u zgjuan demonët e etërve të tij xhelatë.

Tek Edi Rama, sapo mori pushtetin u zgjua famëziu Koleka, që ekzekutonte inteligjencën teknike shqiptare si armike të partisë, për pushtetin e tij dhe Enver Hoxhës.

U zgjua Koleka i cili firmoste ekzekutimin e poetëve të pavdekshëm, me dorën e tij të zezë, Vilson Blloshmin dhe Genc Lekës.

U zgjua xhelati tjetër i kollarisur dhe me kostum që të dukej xhentelman, xhelati Kristaq Rama që firmoste varjen publike në litar të kundërshtarit Havzi Nela.

Të gjitha këto miqtë e mi, vetëm e vetëm për të eliminuar kundërshtarët dhe për të mbjellë frikë dhe terror tek shqiptarët.

Frika individuale, ka dëshmua koha, është nëna e të gjitha të këqijave.

Frika e zhvesh njeriun nga dinjiteti i tij.

Frika e përul njeriun, e poshtëron atë.

Frika shkatërron karakterin njerëzor dhe në fakt kjo ka qenë arma më e keqe, më e rrezikshme e të gjitha diktaturave.

Këtë armë përdori Edi Rama kundër shqiptarëve në këto 10 vite.

Login to post comments