Nga fjala e deputetit Tritan Shehu, ish-Ministër i Jashtëm, në aktivitetin e organizuar nga PD me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe rolin prijës të PD në atë proces.
“Shqipëria, a është e denjë sot të luajë rolin e saj të madh për stabilitetin, rrugën evropiane, liritë, demokracitë, vlerat në rajonin tonë?!
Kjo është një pyetje e madhe, që realisht do përgjigje dhe do kundërveprim për t’u kthyer në ato nivele, për të cilat u bëmë aq krenarë kur ne u pranuam në NATO.
Sot, a jemi më kaq krenarë dhe a mund të jemi aq krenarë sa ç’ishim në ato vite kur Shqipëria u pranua në NATO?!
Padyshim, unë dyshoj dhe them që jo! Shqipëria sot është i vetmi vend anëtar i NATO-s që e ka kryetarin e PD, liderin e opozitës, promotorin e anëtarësimit në NATO, Sali Berishën, të burgosur politik.
E them qartësisht, pa hezitim dhe me gojën plot: “Të burgosur politik”. Pra, a është Shqipëria vërtet një anëtar i NATO-s, në parametrat për të cilat ne u futëm në NATO, u pranuam dhe tentuam e ishim lider me thënë të drejtën, edhe në rajonin tonë për të cilat ne u pranuam në NATO?!
Në qoftë se ne u pranuam në NATO, në qoftë se ne arritëm të jemi nën ombrellën e NATO-s, arritëm sepse ecëm në atë rrugë të vështirë për të arritur ato standarde.
Pranimi i Shqipërisë në NATO ngel dhe është një ngjarje madhore. Unë e kam të vështirë dhe e kam menduar ...si mund ta përcaktojmë ne, çfarë emri mund t’i vëmë anëtarësimit të Shqipërisë në NATO?
Nuk është e lehtë, sepse është një arritje e pallogaritshme për vlerat e saj, poliedrike nga dimensionet e saj, absolutisht shumë zhvilluese në tërësi dhe shumë treguese.”