Avokati i ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, Ermal Yzeiraj ka treguar se do të qëndojnë sot në prokurori për të lexuar aktet e dosjes së Sterilizimit. Gjatë prononcimit për mediat, Yzeiraj ka theksuar se kjo është mënyra e vetme për të lexuar aktet e dosjes, duke qenë se refuzuan që të paguajnë tarifën pre 10 milion lekësh për të marrë një kopje të tyre. Po ashtu ai ka theksuar se sot ata do të lexojnë sa të munden, pasi është e pamundur që të studiojnë të gjithë dosjen.
Pjesë nga pyetjet:
Avokati: Për sa i përket bazueshmërisë së dokumenteve, ne kemi paraqitur një kërkesë tek gjyqtari Erjon Bani, ku argumentojmë paligjshmërinë e akteve ku bazohet fatura e SPAK. Gjyqtari ende nuk e ka zbardhur vendimin, na ka orientuar të shkojmë në Gjykatë Administrative. Kjo është një cik rrugë e lodhshme, por jo e pamundur.
Pyetje: A është hera e parë që paguani një faturë të tillë, se ju prej kohësh mbroni persona përpara SPAK dhe GJKKO, apo ndodh me të gjithë personat që janë duke u hetuar nga ky institucion?
Avokati: Ironi është se më të njëjtët prokurorë, me të njëjtët gjyqtar, çështje tjetër nuk kam paguar asnjë lek.
Pyetje: A mendoni se do mund ta studioni të gjithë dosjen?
Avokati: Jo, e pamundur, do lexojmë sa të mundemi.
Pyetje: Po thoni që Beqaj do qëndroj sot gjatë gjithë kohës në SPAK deri në përfundim të orarit zyrtar?
Avokati: Sa të na lejojnë të lexojmë, do vazhdojmë të lexojmë, unë dola thjesht të pi një kafe.
Pyetje: Po si do e kaloj zoti Beqaj këtë?
Avokati: Do e përballoj!
Deri tani nga hetimi i SPAK ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.