Media italiane, Rai3, ka trazuar politikën shqiptare dhe atë italiane me një investigim të thelluar rreth marrëveshjes Rama-Meloni për refugjatët. Investigimi i Rai ka qenë një bombë për publikun shqiptar pasi nuk është ndalur vetëm te marrëveshja jo-transparente mes dy kryeministrave, por i ka bërë një qilizëm me fakte shtetit mafioz që ka ndërtuar Edi Rama në Shqipëri.
Rai nuk ka zbuluar gjëra që shqiptarët nuk i dinin, por ka vërtetuar akuzat e liderit të opozitës prej vitesh ndaj njeriut hije të Edi Ramës, 'Don Agaçio', siç e ka cilësuar shpesh herë ai.
Dhe investigimi i Rai-t vetëm se ka vërtetuar edhe njëherë për shqiptarët se Engjëll Agaçi është ura lidhëse dhe dora e zezë e kryeministrit shqiptar në lidhjet me korrupsionin, krimin e organizuar deri te marrëveshja për refugjatët.
Po ashtu Rai ka vërtetuar një tjetër akuzë të opozitës në lidhje me vëllain e kryeministrit, Olsi Rama, për lidhjet e tij me elementë të narkotrafikut ndërkombëtar.
Dy nga njerëzit më autoritar të drejtësisë italiane dhe asaj europiane, të luftës ndaj krimit dhe narkotrafikut, prokurorët Gratteri dhe Mandoi kanë hedhur në herë të ashtuquajturën drejtësi e re në Shqipëri.
Ata jo vetëm kanë shkërmoqur propagandën e Ramës dhe ambasadave perëndimore në Tiranë, por edhe kanë treguar me gisht se njeriu që tërheq fijet e kësaj drejtësie është Edi Rama, i cili e bën këtë gjë përmes ish-avokatit të narkotrafikantëve, Engjëll Agaçi.
Prej shumë kohësh përflitet se Ëngjëlli Ramës, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrit, është ‘djalli’ i drejtësisë së re, është personi që kontrollon në hije drejtësinë, sidomos atë të krijuar pas Reformës, përfshirë edhe procesin e Vetingut.
Agaçi mendohet të jetë njeriu që filtron titullarët e institucioneve të shtetit të Ramës. Engjëlli është personi që përcakton vendimmarrjen në institucionet shtetërore e private, ai ka parasysh se gjithçka duhet të shkojë në funksion të interesave të bossit të tij, Edi Rama, dhe Engjëlli, siç tregon edhe emisioni “Report” e kryen më së miri dhe me besnikëri këtë detyrë.
Një video e publikuar mbrëmjen e së Hënës në “Çim Peka Live” në “Syri Televizion” dëshmon se zërat që thonë se “Agaçi kontroll drejtësinë” nuk janë thjesht një legjendë urbane.
Po të kthehemi pas në kohë do të kuptojmë se asgjë nuk është thashethem, apo aludim.
Fotot e mëposhtëme janë të nëntorit vitit 2023, në ambasadën italiane në Tiranë zhvillohet një ceremoni për dekorimin nga presidenti italian, Sergio Matarela, me urdhërin “Kalorësi i Meritës”, të Agaçit, ish-avokat në Itali dhe tashmë “njeriu hije” i Edi Ramës.
Në pamjet e publikuara dallohet se në ceremoni marrin pjesë disa prej eksponentëve më të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Të gjithë duken entuziastë me dekoratën që po merr Ëngjëll Agaçi.
Ardian Dvorani, “kalorësi anti-korrupsion” që nuk ka shënuar asnjë rast gjykimi të suksesshëm kundër korrupsionit, gjendej në atë takim dhe dukej me një fare ngërdheshje kënaqësie për suksesin e Engjëllit të Ramës.
Dvorani “ka lindur për shef” në epokën e Rilindjes së Edi Ramës. Ai ka mbajtur postin e kryetarit në detyrë të Gjykatës së Lartë, megjithëse duhet të ishte larguar nga detyra, pasi kishte harruar 100 milionë lekë gjatë procesit të Vetingut.
Me kryesimin e Gjykatës së Lartë, Dvorani drejtoi për disa kohë edhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, duke vendosur vendin në kolaps institucional, pasi synonte të emëronte gjyqtarët pranë Edi Ramës për në Gjykatën Kushtetuese. Tashmë, Dvorani drejton prej gati një viti Gjykatën Administrave të Apelit.
Në të njëjtën ceremoni gjendet edhe Ina Rama, ish-prokurore e Përgjithshme, tashmë gjyqtare në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Prej vitesh, Ina Rama është akuzuar nga opozita e djathtë se është një “militante e Edi Ramës”. Edhe ajo dukej e lumtur në ceremoninë e dekorimit të Agaçit.
Në takimin festiv për Ëngjëll Agaçin ishte edhe Pamela Qirko, kryetare për tre vjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe tashmë anëtarë e kësaj strukture që kryen vettingun për gjyqtarët dhe prokurorët. Qirko është gjithashtu motra e zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Gjithashtu, në takim shihet i pranishëm edhe kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia.
Siç shihet në foto, kupola e drejtësisë është thuajse e gjitha aty, në ziafetin e ‘shef’ Engjëllit.
Dhe të gjithë e dinë se në ceremonira të tilla, ftohen gjithmonë njerëzit e zemrës.