Nga Alfred Lela:
Në 1604 fjalë të tekstit të Rezolutës së grupit parlamentar socialist, lexo Edi Ramës, nuk gjendet as edhe njëherë për be fjala ‘zgjedhje’.
Pikërisht te kjo kujë e ka varur komunikimin publik, me të drejtë, opozita e vendit që prihet nga Sali Berisha.
Një tjetër kalë beteje i opozitës ka qenë dhe mbetet shpopullimi, ikja masive nga Shqipëria e rreth 1 milion shqiptarëve, duke iu referuar këtu statistikave që vijnë nga organizata të huaja, pa lidhje me opozitën apo verbin e saj politik.
As kjo fjalë, në asnjë variant të saj-emigracion, ikje, eksod etj- nuk gjendet në projektrezolutë.
Ndër fjalët që gjenden aty, kumbojnë fort të tillat si ‘reforma në drejtësi’, pandëshkueshmëria’, ‘integrimi europian’, ‘lufta kundër korrupsionit’, etj. Në çdo rast, megjithë fisnikërinë që bartin në pamje të parë apo në parim, këta janë terma të boshatisur nga kuptimi dhe e kanë humbur rëndesën pikërisht nga stërpërdorimi dhe mosrespektimi. Rama dhe qeveria e tij janë deficitarë në të gjitha: tejzagjatje e integrimit dhe parodizim i tij-“çelja” disa herë e negociatave dhe koncertet shoqëruese-, sidomos lufta kundër korrupsionit, kur përdoren nga një kryeministër dhe qeveri-me një record të pahasur më parë në historinë e Shqipërisë, janë një ironi e madhe.
Pa njohur këto dy shtylla të ligjërimit opozitar, dhe kolona të rëna të funksionimit të shtetit dhe shëndetit të kombit, çdo rezolutë është një mashtrim. Fakti që si lejtmotiv i saj është zgjedhur “Shqipëria 2030”, një slogan që Rama e përdor prej disa kohësh për të transportuar në imagjinatën e publikut idenë se ai do të qeverisë deri në atë vit, përbën edhe një tallje.
Projekti për rezolutë fton opozitën pa e njohur dhe pa e kuptuar atë, madje duke e shpërfillur. Është marramendëse të imagjinosh se si kandidatët e qeverisë fitojnë në bashki si Rrogozhina dhe Kukësi për shembull, në kundërshtim të plotë me logjikën. Në rastin e parë pasi ka fituar me kutinë e votive të burgut dhe me një diferencë të vogël, dhe në të dytin pas skandalit në zyrën e kryebashkiakut Gjici.
Në manualet e politikës botërore nuk ka raste të tillë kur dikë e forcon një skandal apo shkelje, në vend që ta dobësojë.
Më herët në kohë dosjet 184 dhe 339, dhe vetëm një vit më parë përfshirja e bandave të Shkodrës demonstrativisht në fabrikimin e një rezultati që i dha për herë të parë fitoren në kryeqendrën e Veriut PS, nuk spikasin në botëkuptimin e projektrezolutës.
Mospërmendja e zgjedhjeve dhe nevojës që procesi elektoral të normalizohet dhe të dekriminalizohet, lë jashtë horizontit edhe qeverinë teknike-pse jo sipas modelit maqedon- të cilin Doktor Berisha e ka paraqitur si kërkesë prej muajsh tashmë.
Siç nuk duket askund as hija e padrejtësisë ndaj shefit të opozitës. Gjyqi politik i Sali Berishës, përveç mungesës së provave dhe fakteve, është spërkatur me ndyrësi spektakolare, ku spikasin fort “avokatja kryesisht” e caktuar nga gjykata e cila, jo rastësisht por “kryesisht” ishte një enveriste me yll, apo Irena Gjoka, që shfaqej sa në toplistën e të angazhuarve të aplikacionit të PS “Aktivisti”, sa në dosjet non grata të autoriteteve greke, apo dhe deri në konfliktin e interesit që i siguronte shkarkimi nga Presidenti Berisha në mesvitet ‘90.
Të gjitha këto qëmtime e bëjnë rezolutën e Ramës një dokument propagandistik dhe electoral, jo një përpjekje për ulje të tensionit, paqe sociale dhe politike; aq më pak një dokument që hap rrugën për integrimin europian apo që ngrihet kundër dezintegrimit kombëtar, çka është në fakt shpopullimi masiv.
Fakti që Ambasada Amerikane e mori seriozisht projekt-rezolutën nuk e bën atë automatikisht një dokument serioz. Kjo mund të tregojë një dëshirë amerikane të kahershme për grand coalition, por nuk i përgjigjet realitetit, dhe aq më pak shpresës për normalitet dhe zgjidhje. Siç e thotë edhe një slogan i paradokohshëm i Partisë Demokratike “pa zgjedhje të lira, nuk ka zgjidhje”. Të gjithë ata që kanë në duar barutin e vrasjes së zgjedhjeve nuk mund të bëjnë katarsis të shumëfishtë pa filluar nga riinstalimi i një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor.
Përndryshe, rezoluta në tentativë nuk është më shumë se një lëmsh me 1604 fjalë, një babel që nuk na çon as te marrëveshja dhe as te Zoti.