Lagjet e Astirit janë kthyer në makth për banorët, jo vetëm nga plehrat, problematikë të cilën e kemi trajtuar shpesh, por edhe për shkak të rrugëve të pashtruara.
I tillë është rasti i bllokut, që kufizohet nga rrugët “Teodor Keko”, “Tom Plezha”, “Mikel Maruli” dhe “Loni Ligori". Prej muajsh këto rrugë kanë mbetur pa shtruar, duke krijuar një kaos total me qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve, çka është kthyer në shqetësim për banorët.
Tenderi për rikualifikimin e këtij blloku nuk ka ecur siç duhet. Kohëzgjatja e punimeve është përcaktuar 12 muaj kalendarikë duke nisur nga data e lidhjes së kontratës që ishte më 21 shkurt të 2023-shit.
Mes 20 operatorëve konkurrues fitues u shpall “Sireta 2F SH.P.K”, ndërsa investitor është Bashkia e Tiranës. Pavarësisht se shpenzimet sipas kontratës janë 222 milionë e 222 mijë e 222 lekë të rinj pa TVSH, dhe tashmë kanë kaluar rreth 3 muaj nga përfundimi i afatit të ndërtimit të objektit, punimet jo vetëm që nuk kanë përfunduar, por prej muajsh kanë mbetur në vend dhe nuk punohet, duke bërë që nga rikonstruksion, të kthehet në gangrenë.