Analisti Fatos Lubonja, ka komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit që riktheu vulën e Partisë Demokratike te kryetari i saj Sali Berisha, duke njohur Kuvendin e 11 dhjetorit 2021 dhe vendimet e dala prej tij.
Lubonja shprehet se vendimi duket i drejtë, pasi shumicën në opozitë e ka Berisha.
Gjithashtu, Lubonja tha se do të donte një bashkim të opozitës së vendit kundër mazhorancës, që sipas tij, është e mbushur me korrupsion.
Lubonja: Vendimi është më shumë surprizë. Duhet thënë se është vendim i drejtë, sepse Berisha kishte shumicën në opozitë. Unë politikisht e kam quajtur gabim aktin e Lulzim Bashës. Ne jemi mësuar në këtë vend që të drejtën e ka i forti, ai që ka interesa, në këtë histori besoj se ka dorë edhe pushteti, Rama, që ka zvarritur çështjen e vulës. Unë ngre hipoteza se pse iu dha vula Berishës. Një hipotezë është që drejtësia nuk është 100 përqind e komandueshme, kemi drejtësi që edhe pse jo e pavarur, përbëhet nga njerëz në fund të fundit, ndoshta dhe gjyqtarët kanë menduar se kjo është e drejtë dhe vërtetohen disa gjëra, edhe gjykatësit thonë që do shkojnë deri në fund nga e keqja apo si gjykatës do të mbajmë një qëndrim të caktuar.
Mendoj se skandalet e fundit me siguri që kanë tronditur edhe gjykatësit dhe prokurorët. Tjetër hipotezë është se Edi Ramës edhe mund t’i leverdisë që t’ja japë vulës njëherë Bashës e njëherë Berishës, që të nxisë përçarjet në opozitë. Për këta politikanë, politika është bërë si profesion. Për faktin se çfarë do bëjë Basha, mbetet çështja e hapur.
Rezultati i votimit mund të jetë edhe kjo. Gazment Bardhi është treguar më agresiv në disa gjëra, është edhe i ri, nuk është akuzuar për korrupsion. Bardhi besoj se është një figurë që e duan edhe amerikanët. Unë do doja një bashkim të opozitës, të jetë edhe Berisha aty, që të bëhen kundër narko-shtetit. Edi Rama është përpjekur gjithmonë që ta përçajë opozitën.