Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një takim me strukturat drejtuese të të rinjve të Partisë së Lirisë në Fier deklaroi se Shqipëria sot është një narko-ekonomi. Kreu i PL-së ka vijuar me akuzat e tij drejt kreut të SPAK, Altin Dumani. Meta e quajti sërish ‘Dumdumani’, duke e akuzuar kreun e SPAK që është një marjonetë e Edi Ramës.
Meta theksoi se duhet t’i japim fund politikës që largon rininë nga vendi. Sipas Metës, Fieri dhe mbarë vendi kanë nevojë për ndryshim dhe se ndryshimi do të vijë.
Ilir Meta: Kjo është narko-ekonomi. Kullat në Tiranë janë bërë me para droge. Pse nuk bëhet zonë industriale në Fier dhe të rinjtë të punojnë këtu? T’i japim fund politikës, që synon largimin e rinisë nga Shqipëria. T’ju hapet rruga të rinjve, që kanë mendimet e tyre për vendin, që kërkojnë më shumë. Duhet të merrni në dorë fatet tuaja. Çfarë është kjo “prindi 1” dhe “prindi 2”. Ne do i japim drejtim tjetër Fierit. Të ndezim shpresë të jashtëzakonshme tek të rinjtë e Shqipërisë. Është denoncim i këtij narko regjimi që ka instaluar Rama bashkë me McGoniogal e tij, duke përdorur marioneta të tilla si Dumdumani. Dumdumnai përdoret për të goditur figura të opozitës që të mos shqetësohet Rama për skandalet e panumërta që ai ka bërë dhe bën çdo ditë. Si shpjegohet që ka gjysmën e qeverisë në burg për 17 vendime që janë pranuar në praninë e tij për 2 orë, janë kundërshtuar e zeza mbi të bardhë drejtori i prokurimeve, dhe ai nuk është thirrur asnjëherë, përveç dhjetëra aferave të tjera. Si mund të jetojë ende në liri dhe vazhdon të vjedhë shefi i kompanisë së vërtetë 5D, Erion Veliaj”, tha Meta.