Berisha: Beteja kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetet beteja e jetës sime

Tuesday, 18 June 2024 12:07
 
 

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të të vërtetës, shpresës, besimit dhe të ardhmes së shqiptarëve. 

 

Ju përshëndes me mirënjohje të pakufishme.

Përshëndes oratorët fjalëurtë të kësaj platforme.

Të dashur miq!

Sot unë dhe çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar jeton me mund dhe djersën e tij, kanë arritur një fitore të vërtetë.

Sot ka dalë me të gjithë shëmtinë e vet para shqiptarëve, ia nxorën me të gjithë shëmtinë e vet para shqiptarëve, fytyrën e korrupsionit transnacional.

Sot në betejën tonë kundër vjedhjes së shqiptarëve dhe korrupsionit, ne arritëm një fitore të padiskutueshme.

Të dashur miq!

Pas përjashtimit siç e quajnë në gjuhën zyrtare anglezët të Sali Berishës nga hyrja në Britaninë e Madhe, unë vendosa të njëjtën gjë, të mos loboj, por të padis në gjykata për shpifje autorët e shpifjeve të ulëta.

Mirëpo ligji britanik nuk lejonte drejtimin në gjykatë pa kaluar ankesa në Komisionin e Posaçëm të Apelimit që shqyrton si komision vendimet e Home Office.

Pra, një komision duhet të shqyrtonte ankesën dhe pas mendimit të tij, unë fitoja të drejtën t’i drejtohesha sistemit gjyqësor anglez.

Sot, në vendimin e tij, Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Ankesave për Emigracionin, deklaron se ai nuk ka hetuar nëse ka akuzat ndaj Berishës janë të vërteta apo jo.

Në paragrafin 17 të vendimit, ky komision deklaron se ai ka hetuar nëse Sekretarja e Shtetit i ka analizuar drejt provat para saj.

Por edhe njëherë theksoj, se procedura që ndoqëm ka qenë jashtëzakonisht e çmuar, për secilin prej jush, për çdo shqiptar.

Kjo procedurë faktoi se për Sali Berishën, për vendimin ndaj tij, nuk ka asnjë provë, asnjë të vërtetë, asnjë fakt, vetëm turp, vetëm shpifje, vetëm trillime.

Kjo tregoi se vendimi ndaj Sali Berishës është vepër e korrupsionit shqiptaro-britanik transnacional.

Të dashur miq!

Çfarë tregon vendimi i sotëm?

Vendimi i sotëm tregon se përjashtimi im është bazuar në dy artikuj të medieve të Xhorxh Sorosit, BIRN dhe Balkan Insight dhe në një artikull të Bolinos së Edi Ramës dhe deklaratë të Lulzim Bravës.

Siç ju thashë, ne mësuam të vërtetën nga procedura sepse në vendimin e Home Officë për rishikimin zyrtar të këtij institucioni, fshehën mijëra e mijëra faqe të dorëzuara nga ne me qëllim fshehjen e mashtrimit të parë.

Këtë fshehje e fakton, e pohon sot SIAC, që thotë se përfaqësuesit ligjore të qeverisë nuk i kanë dhënë Home Office provat tona, mijëra e mijëra faqe, dokumente, pasi pretendonin, mashtronin se ato janë dorëzuar me vonesë.

Miqtë e mi!

Çdo provë, çdo fakt, çdo fgaqe është dorëzuar në kohë dhe me përpikmëri në përputhje me marrëveshjen e avoketërve të mi me zyrtarët e Home Office.

Por problemi është se provat, faktet e paraqitur nga avoketërit e mi në mijëra faqe, rrëzonin, shkrinin si rrezja e diellit brymën, mashtrimin e diplomatëve të korruptuar dhe korruptorëve të tyre, Edi Rama, Erion Veliaj dhe Lulzim Brava.

Ndaj dhe mijëra faqe nuk u dorëzuan Sekretares së Shtetit sepse ajo do mësonte të vërtetën me këto faqe dhe sepse po t’i dorëzoheshin asaj, do detyrimisht do të pranoheshin nga SIAC-i.

SIAC-i pranonte vetëm dokumentet e dorëzuara para Sekretares së Shtetit.

Shikoni çfarë akti të papërgjegjshëm dhe të ulët bën, për të mbrojtur korrupsionin transnacional, paraardhësi i Alistair King-Smith, Norman Duncan fshehu faktet, mijëra fakte,nuk iu dorëzuan sekretares në mënyrë që të mos shkonin për dorëzim në SIAC.

Miqtë e mi!

Po kur ndodhën këto? Si ndodhën?

Këto ndodhën pasi zyrtari i Home Office që kishte firmosur për përjashtimin tim, dhe që e sheh se nuk kishte asgjë në tavolinë të vërtetë, i kërkon Alistair King-Smith se çfarë mendon ti nëse i heqim përjashtimin Sali Berishës?

Zotëria e tij, duke mos pasur asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë provë, i thotë se kjo do na dëmtojë shumë reputacionin, në qoftë se e heqim qoftë me proces ligjor, qoftë me proces administrativ.

Pra, nuk kishte rëndësi e vërteta, por kishte rëndësi reputacioni.

E kuptoni vetë ju se çfarë mentaliteti korruptiv është ky!

Se çfarë mentaliteti është ky.

Së dyti, ka një perlë tjetër, shumë të fortë, kur personi që kishte firmosur ndalimin tim mbi bazën e kërkesave që i kishin dërguar, ndalet tani, thotë t’i shqyrtojmë tani se qenka problem.

Dhe i dërgon zyrës së paraardhësit, Alistair King-Smith, shkresën se ku e keni bazuar këtë propozim.

Përgjigjia ishte se e kemi bazuar ndër të tjera në 38 deep-tel, në telegrame diplomatike.

Punonjësi i çon shkresën, ma sill pak atë dosjen e 38 deep-telëve. Përgjigjia ishte ajo që asnjë punonjës i një shteti të botës së katërt nuk e jepte, se kanë humbur, nuk i kemi, në një kohë kur i kishin të gjitha, por ishin kot dhe bosh.

Miqtë e mi!

Atëherë a nuk del e qartë me të gjithë këto akte, fytyra e shëmtuar dhe metastazat e korrupsionit transnacional shqiptaro-britanik në administratën e qeverisë së madhërisë së tij?

Të dashur miq!

Përsëri po të lexoni vendimin, përsëriten të njëjtat shpifje të turpshme për lidhjet me krimin, sillet shembulli i Fatjon Dautit, një person që nuk e kam takuar kurrë në jetën time, që edhe vetë thonë se nuk provojmë se ka lidhje, por ka lidhje.

Imagjinoni pak se si kërkon Edi Rama me korrupsion transnacional të mbrojë lidhjet e tij me krimin, të mbrojë vizitat e Sinaloas në zyrën e tij, licencën që u jep bosëve të kartelit më të rrezikshëm në botë, Sinaloas.

Se si kërkon Edi Rama me korrupsionin transnacional, me McGonigalë dhe ambasadorë, të mbulojë investitorët e tij strategjikë të llojit Pëllumb Gjoka.

Të mbulojë transportin me avionin e tij Ismail me baule diplomatike të ngarkesave të tmerrshme, drogë dhe narko-euro.

Se si kërkon Edi Rama të mbulojë procesin e shndërrimit të Shqipërisë në narko-shtet.

Miqtë e mi!

Në pretendimet e tjera, shtrojnë problemin e piramidave. Skemave piramidale të 27 viteve më parë, për të cilat nuk ka pasur njeri në botë që mund të ngrejë një akuzë për Sali Berishën.

Askërkush. Kurrë.

Por e vërteta është, me gjithë dhimbjen që kam pasur dhe kam për atë krizë, shpreh një mirënjohje të veçantë ndaj parlamentit britanik,  i cili në raportin e tij të vitit 2009 për piramidat më gjigante që shpërthyen në City-n e Londrës, shkruan: ky raport titullohet ‘Vjedhja më e madhe në histori’, dhe shkruan, bankierët, tregtarët, financierët e City-t ndërtuan skemën piramidale më të madhe të kohërave, por sot gangsterët e Tiranës që ndërtuan firmat piramidale, i kanë lakmi këta zotërinj që u sollën njëlloj si ata, sepse gangsterët e Tiranës u burgosën njëri pas tjetrit dhe se ligji atë kërkonte.

Sepse kompanitë e tyre u falimentuan njëra pas tjetrës dhe se ligji atë kërkonte. Dhe se qeveria e Tiranës nuk vendosi një qindarkë në skemat, ndërkohë që në Britaninë e Madhe asnjë njeri nuk u përball me ligjin dhe qeveria injektoi sasi kolosale parash në piramidën më të madhe në histori.

Pra, në qoftë se në Britani për këtë nuk lëvizi kush në vendin e punës, sot korrupsioni transnacional përdor qëndrimet ligjore të Sali Berishës si provë për të ndëshkuar, për të përjashtuar atë.

Kam hedhur poshtë një nga një të gjitha pretendimet, por ndjehem sot para jush dhe çdo shqiptari më krenar se kurrë ndonjëherë.

Ndjehem krenar se u them ju, beteja kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetet beteja e jetës sime.

Se 8 vite në pushtet, ajo betejë transformoi Shqipërinë sa kurrë në historinë e saj.

Se e vazhdova atë betejë në opozitë, pa asnjë lëkundje. Vazhdova atë betejë kundër Edi Ramës dhe ministrave të tij, por edhe kundër ambasadorëve të turpit, që shkelmonin misionin e tyre.

Po, po, sepse mbroja jo vetëm interesat e shqiptarëve, por edhe të taksapaguesve të vendeve të tyre.

Dhe ndjehem shumë i lehtësuar sot, kur detyrohen të bëjnë Dumanin, kur të detyrohen të bëjnë Milonain. Turp, turp, turp!

Sot garantoj çdo shqiptar se ndjehem sonte më i motivuar se kurrë në këtë betejë. Se cilido që cenon me korrupsion interesat e tyre, çfarëdo qoftë ai, kryeministër apo president, do marrë denoncimin e Sali Berishës.

Do mbroj interesat tuaja.

Do mbetem shqiptar gjithë jetën time.

E kuptoni ju vetë tani se sa e pakufishme është mirënjohja ime ndaj jush që më mbështesni.

Se sa e pakufishme dhe frymëzuese është mirënjohja ndaj shqiptarëve që më mbështesin.

Se sa më shumëfishon fuqinë kjo mbështetje për të vazhduar betejën dhëmb për dhëmb me çdo qeveritar, me çdo të huaj, me çdo korruptokrat, pavarësisht nga vendi, funksioni, pozicionet.

Ata që detyrohen të fshehin të vërtetat, janë Dumanër, Millonai, janë korrupsioni i tokës kudo që ndodhen. Të ardhme nuk kanë.

Nuk u ndahem, nuk u ndahem, nuk u ndahem!

E premtja na pret, na pret te bashkia në realizimin e qëllimit tonë.

Në betejën tonë kundër vjedhjes së shqiptarëve.

Çdo shqiptar duhet të jetë krenar se po zbërthehet, po del në pah fytyra e shëmtuar, kalbësira e korrupsionit transnacional.

Fytyra si McGonigali, si Vlahutini, ambasadorja që blinte me 4 mijë euro metrin katror aty ku shitej 1300.

Do marrin përgjigjen e merituar.

Vërtet Tirana është djepi i korruptimit, por Tirana e opozitës do jetë Tirana e ndëshkimit të tyre në Shqipëri dhe kudo që janë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Login to post comments

Lajmet e fundit

Bashkia e Tiranës nuk ka vende në kopshte e çerdhe për 80% të fëmijëve

Politikë

Bashkia e Tiranës nuk ka vende në kopshte e çerdhe për 80% të fëmijëve

  80% e fëmijëve në moshë çerdheje dhe kopshti në Bashkinë e Tiranës nuk gjejnë dot një vend në strukturat publike. Prindërit rrëfejnë se pranimi i fëmijëve kryhet përmes procedurave diskriminuese...

3 të vrarë në Memaliaj/ Vritet babai i Tik Kalemit, viktimë dhe kamarieri e një klient i lokalit

Kronikë

3 të vrarë në Memaliaj/ Vritet babai i Tik Kalemit, viktimë dhe kamarieri e një klient i lokalit

Një atentat mafioz me tre viktima dhe një të plagosur është regjistruar mesnatën e kaluar në Memaliaj, ku shënjestër e atentatit kanë qenë anëtarë të fisit Kalemi. Sipas autoriteteve policore, ngjarja...

Vetëvrasja e Ibros, pas sekuestrimit të miliona eurove dhe mikrobankës së kredive: Akuzat ndaj tij dhe grupit

Kronikë

Vetëvrasja e Ibros, pas sekuestrimit të miliona eurove dhe mikrobankës së kredive: Akuzat ndaj tij dhe grupit

  Vetëvrasja e Olsi Obros, njerit prej të akuzuarëve për mashtrimin e rëndë të qytetarëve duke i zhvatur me mikrokreditë, bashkëshortja e të cilit gjithashtu Elda Ibro, administratore e Micro Credit Albania...