Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu i ftuar në Task Force me Sonila Meçon në SYRI TV, e krahasoi takimin e sotëm të kryeministrit Edi Rama me mjekët, në kuadër të skandalit të Onkologjikut, me ato të kohës së komunizmit.
Sipas Shehut, ky takim ishte një keqpërdorim i personelit mjekësor dhe jo një përballje e ashpër siç pritej e kryeministrit me mjekët.
“Nuk ishte një dalje e kryeministrit përballë mjekëve por ishte një keqpërdorim i personelit mjekësor dhe i mjekëve në një takim që i ngjan takimeve që beheshin dikur në kohen e komunizmit, që mund të bëj Kim Jong Un në Korenë e Veriut, ku kryeministri predikoi përpara mjekëve, nuk tha asgjë reale. Unë e kam ndjekur të gjithë fjalen e tij. Nuk tha asgjë reale. Bëri vetëm disa predikime të përgjithshme, disa teorizime të përgjithshme dhe kërkoi të inkriminoj, të anatemoj personelin mjekësor për ndodhinë e shëmtuar në Onkologjik dhe jo ta trajtojë atë si një simptomë, si një sinjal të fortë të patologjisë së rëndë që ka sistemi shëndetësor shqiptar nga i cili duhet të fillonte të nxirrte mësime për të minimizuar probleme kaq të mëdha", u shpreh Shehu.