Botuesi i njohur Fahri Balliu, njëkohësisht dhe mik i shkrimtarit Ismail Kadare, që ndërroi jetë ditën e sotme, tha se Kadareja ishte shenjtor i çështjes kombëtare. Balliu tha se Kadare ishte personazh po kaq i madh sa edhe vepra e tij. Sipas tij, Kadare do të mbetet shkrimtari i përbotshëm, që do mësohet brez pas brezi.
Fahri Balliu: Kjo e sotmja është një ditë e rëndë. Ismaili nuk është më, por është vepra për të cilën ai shkriu jetën e tij, duke na e lënë si trashëgimi për brezat e sotëm dhe brezat që do të vijnë si udhërrëfyes, ku na tregon se ku është e ardhmja e popullit shqiptar, kë ka mik kombi ynë dhe këtë na e tregon drita e Kadaresë. Përfitoj të shpreh ngushëllime për gruan e Kadaresë, Helenën dhe dy vajzat e mrekullueshme të tij dhe t’ju them se janë pjesë e kulturës sonë kombëtare. Në kontaktet e mia të fundit, unë kisha dëshirë që të ishte më jetëgjatë. Ai dhe kohët e fundit ishte po kaq brilant, sa ç’ishte në jetën e tij. Ismail Kadare ishte një personazh po aq i madh sa vepra e tij.