Kisha Katolike nëpërmjet një deklarate për mediat ka shprehur shqetësimin për rezultatet e Censit2023 dhe efektet që rënia e numrit të popullsisë do të ketë te komuniteti.
Sipas rezultateve të Censit numri i besimtarëve katolikë në Shqipëri krahasuar me matjen e popullsisë kryer në vitin 2011, ka rënë nga 10% në 8.4%. Kisha Katolike nënvizon se tkurrja e besimtarëve është një fenomen për të cilin janë në dijeni, pasi lidhet me emigrimin masiv kryesisht nga zonat e Veriut të vendit.
‘Për sa i përket numrit të katolikëve, mund të themi se ne nuk kemi elemente në dorë për të gjykuar nëse realisht është ky numri i katolikëve në Shqipëri. Tkurrja e përgjithshme e popullsisë ka sjellë edhe tkurrjen e katolikëve dhe ikjen e tyre në vendet perëndimore, kryesisht në Evropë dhe në Amerikën veriore.
Në këto vite, ne si komunitet katolik, nuk kemi kryer regjistrime për popullsinë. Prandaj, edhe neve na lind një angazhim për ta kryer këtë Census nëpër Dioqezat dhe famullitë tona për ta njohur, edhe pse përafërsisht, por me realizëm, numrin e katolikëve në territor.’
Por, Kisha Katolike po ashtu nënvizon se numri i të larguarve nga Shqipëria përgjatë 13 viteve është më i madh se shifra 410.000 i përllogaritur nga INSTAT.
‘Ne mendojmë se numri është më i lartë se kaq. Është një fenomen që ne si Kishë Katolike e kemi ndier dhe e kemi shprehur herë pas here, për shkak edhe të pranisë sonë kapilare në territorin e Shqipërisë. Është një fenomen që ne si Kishë Katolike e kemi ndier dhe e kemi shprehur herë pas here, për shkak edhe të pranisë sonë kapilare në territorin e Shqipërisë. Ne kemi qenë dëshmitarë të largimit masiv të familjeve shqiptare jashtë Shqipërisë dhe e përjetojmë përditë këtë plagë.
Kjo është e lidhur me një shqetësim të dytë që statistikat e tregojnë: tkurrja e moshës së re dhe e moshës së punës. Kjo sjell pasoja në zhvillimin e shoqërisë e sidomos në mirëqenien shpirtërore dhe ekonomike të familjeve shqiptare. Kjo tkurrje ul numrin e martesave dhe familjeve të reja që janë garanci për lindjen dhe edukimin e fëmijëve, si detyra themelore të martesës dhe familjes e që garantojnë vazhdimësinë jo vetëm numerike, por edhe cilësore të shoqërisë. Largimi i moshës së re është mungesë e një aseti që varfëron Shqipërinë.’