Arratia e Xhelal Rrajës, kreut të dyshuar të një bande kriminale me bazë në Nikël të Krujës, mori fund mesditën e së mërkurës, pasi policia e arrestoi në një vendodhje të pacaktuar. Sipas njoftimit të policisë, arrestimi i Rrajës u realizua “pas një pune të mirëfilltë hetimore”.
Rraja u bë i njohur për publikun në korrik të vitit të kaluar si organizator i rrahjes së dy qytetarëve të zonës, një ngjarje rrëqethëse që u regjistrua nga vetë rrahësit para se të rridhte në media dhe të bëhej publike. Në video, disa anëtarë të familjes Rraja dhunojnë me shkopa bejsbolli dy kushërinj, pasi i gjetën ata në një lokal.
Në video dëgjohet dikush që bërtet “Vrite – Vrite!” ndërsa goditjet e pamëshirshme vijojnë, në një akt që dukshëm ishte i synuar për të frikësuar viktimat, edhe pasi këta të fundit ishin të rrëzuar në dysheme. Arsyeja e dhunimit ishte se kushërinjtë ishin ankuar në polici për shpërthimet në një gurore pranë banesave të tyre. Rraja gjithsesi shpëtoi pa pasoja nga ngjarja, e cila u deklarua nga prokuroria e Tiranës si plagosje e lehtë me dashje, ndërsa dhunuesit nuk u arrestuan nga policia pasi nuk u gjetën dot.
Rraja u arrestua të mërkurën për akuza më të rënda, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Vepra e parë penale dënohet me deri pesë vjet burg ndërsa vepra e dytë i shton pesë vjet burg dënimit të parë, për një maksimum deri në dhjetë vjet.
Sipas prokurorëve, “shtetasi Xhelal Rraja ka pasur rolin e organizimit të personave që do të kryejnë ekzekutimin e shtetasit Arben Ndoka.”
Në një nga bisedat e tij me shtetasin Durim Bami, Rraja e informoi këtë të fundit për një vizitë që ish-deputeti socialist Arben Ndoka do të bënte në Tiranë për ngushëllimin e familjes së një zyrtari të drejtësisë të ndrarë nga jeta për shkaqe natyrore, gjë që supozohej se përbënte një mundësi për ta vrarë. Bami inspektoi vendin ku pritej të bëhej atentati panë fakultetit të Gjuhë-Letërsisë në Rrugën e Elbasanit dhe cakton Marklen Hakën për të bërë vrasjen. Plani dështoi për shkak se Ndoka nuk vajti për vizitë.
Dosja e Shtatë Bandave përmban 50 të akuzuar për tetëmbëdhjetë vepra të ndryshme penale dhe u mundësua falë faktit që pjesa më e madhe e të dyshuarve përdornin për komunikimet e tyre një aplikacion të veçantë të quajtur Sky ECC, të cilin besonin se ishte i papërgjueshëm. Policia franceze e sekuestroi serverin e aplikacionit duke mundësuar zbardhjen e një numri të madh aktesh kriminale.
Në rastin e Shtatë Bandave, ngjarjet e provuara shtrihen përgjatë vitit 2020 dhe fillimit të vitit 2021 dhe paraqesin tentativat e Arben Ndokës për të vrarë Durim Bamin dhe të tjerë, si hakmarrje për vrasjen e të vëllait dy vjet më herët. Ndoka përdor shërbime të bandave të tjera aleate me të, ndërsa atentati kundër Bamit dështoi, duke shkaktuar plane të Bamit për ta vrarë Ndokën.
Aktualisht Arben Ndoka është në arrati ndërsa Durim Bami është arrestuar në Dubai, një vend i preferuar nga krerët e bandave kriminale shqiptare për shkak se Shqipëria nuk ka arritur të ekstradojë asnjë të akuzuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe deri më sot.
Astrit Avdyli, drejtues i një bande tjetër kriminale i akuzuar se ndihmoi Arben Ndokën në planet për vrasjen e Durim Bamit, u arrestua pak ditë më parë në banesën e tij në Shijak.
Ndër krerët e tjerë të dyshuar të këtyre grupeve, Ervis Martinaj është shpallur i zhdukur ndërsa Ilia Ndoka u arrestua në Itali e Leonard Duka u arrestua në Belgjikë.