Nuk e di në ç’rrethanë por nga paraardhësit tanë na ka mbërritur një shprehje: Budallain mbaje brenda shtëpisë!
Nuk më vjen analogji tjetër në mendje veç kësaj urtie popullore për marrëzinë e radhës me kullat, kësaj here në Shkodër.
Pasi e mbolli Tiranën me kulla, vizioni i marrë po infekton edhe qytetin e bukur të veriut që s’ka e s’mund të ketë asnjë lidhje me arkitekturën dubaiane që po imponon Edi Rama me dhunën e diktatorit të gjithëpushtetshëm të Shqipërisë.
Në Shkodrën sizmike kryebashkiaku i Shqipërisë miratoi kullën më të re duke harruar se qyteti ndodhet pranë vijës ndarëse mes pllakave tektonike dhe ndër më të rrezikuarat nga tërmetet.
Mjafton të kujtojmë tërmetin e vitit 1979, me magnitutë 7.0, me qendër Tivarin dhe Ulqinin, i cili shkaktoi dëme të mëdha në Shkodër për të kuptuar se qyteti as nga pikëpamja sizmike nuk është i përshtatshëm për rrokaqiej.
Natyrisht do thoni ju, edhe në Japoni ka tërmete por cilësia e ndërtimeve dhe zbatimi i ligjeve atje, janë galaktika larg Shqipërisë. Përgjegjshmëria e ndërtuesve gjithashtu.
Mjafton t’ju kujtoj disa kulla në Tiranë që tjetër janë miratuar në projekt e tjetër po zbatohen. Kulla më e madhe deri tani në vend, Down Town, flitet se nuk merr dot firmën e arkitektik Winy Maas, pasi në rrugë e sipër ka ndryshuar projektin.
Gjëja më e dukshme janë katet dhe fasada, por një Zot e di çfarë ka ndryshuar brenda.
E pra, të tilla kulla kryebashkiaku Rama po ia imponon gjithë Shqipërisë, duke e ekspozuar budallanë në çdo qytet!
Me këtë intensitet marrëzie nuk është e largët dita që në këmbët e Mangalemit në Berat apo tek Qafa e Pazarit në Gjirokastër të ngrihet një kullë.
Këtu s’po e përfshij Krujën se ajo ka vite që budallën e vet e ka ngritur dhe ia shfaq çdo turisti që shkon për Skënderbeun e gjen zdapa nga këto të Ramës!