DEKLARATA E KORDINATORIT TË RAJONIT TË TIRANËS, KLEVIS BALLIU:
Të nderuar qytetarë
Pamjet që vinin sot nga protestat e fermerëve të Korçës ishin dy herë të dhimbshme.
Së pari qytetarët e këtij vendi, që duan të jetojnë me djersën e ballit dhe frytet e tokës dhe punës së tyre, dalin në rrugë për t’i thënë qeverisë se po ua kalb prodhimet, po ua shkel besën, po ua nëpërkëmb punën dhe po u shkurton jetën.
Së dyti, krerë të Policisë së Shtetit, në kapërcim të detyrës dhe autoritetit, përfshihen me zell, në përplasje verbale dhe fizike me fermerët, të cilët në të drejtën e ligjit dhe të Zotit ngrenë krye kundër padrejtësive.
Gjovalin Loka, drejtor i Policisë së Korçës, me gojë, me duar dhe këmbë u kundërvihej fermerëve korçarë, si dikur operativët e zonës së kohës së Enverit, kulakëve të fshatrave të kësaj treve punëtore dhe të mençur.
Loka nuk ka faj, sepse me ‘mësimet e Partisë loke’ është rritur dhe bërë polic, duke e nisur nga arma e pabesë dhe vrastare e Sigurimit të Shtetit.
Partia Demokratike i kujton Gjovalin Lokës dhe sigurimsave të mbledhur nga Taulant Balla dhe Edi Rama në radhët e policisë, se dita e llogaridhënies nuk është e largët.
Përfshirja e tij në mbrojtjen e bandave të partisë që vjedhin zgjedhjet, dora e tij e zgjatur mbi protestuesit e opozitës në Tiranë, banditizmi i tij i sotëm përballë fermerëve, janë në turpin e tij, por edhe në nderin e opozitës për të mos i falur.
Për dijeni të publikut, duam të theksojmë se Gjovalin Loka e ushtron detyrën në paligjshmëri. Neni 38/g i ligjit nr 12/2018 të 5 marsit 2018, ua ndalon ish-punonjësve të Sigurimit detyrat shtetërore dhe në polici. Thirrja e tyre në uniformë është, jo vetëm e paligjshme, por edhe provokim.
Gjovalin Loka ka ndërruar uniforma, por jo zakon. Ai i sheh ata që dalin kundër Rilindjes si ‘armiq të partisë’.
Si ‘si armik të popullit’, si të paligjshëm në detyrë, dhe fuks të Sigurimit do ta trajtojmë edhe ne!
Publikut duam t’i kujtojmë standardin e dyfishtë të Lokës dhe kolegëve të tij në Policinë e narkoshtetit. Siç keni parë nga dosja ‘Metamorfoza’, dhe dhjetëra të tjera të shërbimeve të huaja të sigurisë, Loka dhe sivëllezërit e tij u bëjnë servis narko-trafikantëve.
Siç e shihni çdo ditë në rrugët e Shqipërisë, ata u hapin rrugë të fortëve me makina të shtrenjta. Krejt të kundërtën bëjnë me shqiptarët e thjeshtë, që dalin në rrugë me zetorë, për bukën e gojës, jo për pushimet në Maldive.
Turp, turp, turp!