Qeveria shqiptare do të shpenzojë 12 milionë euro nga paratë e qytetarëve për të forcuar luftën kundër korrupsionit që bëjnë zyrtarët e shtetit.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, prezantoi strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, e cila sipas saj ka tre qëllime kryesore.
Parandalimi i korrupsionit është qëllimi i parë i cili ka për objektiv forcimin e kornizës ligjore dhe kapaciteteve institucionale, forcimin e transparencës e deri në promovimin e integritetit të sektorit privat.
Qëllimi i dytë është ndëshkimi i korrupsionit dhe ka për objektiv forcimin e kapaciteteve ligjzbatuese, si dhe atyre profesionale për hetim penal efektiv. Ndërsa qëllimi i tretë është ndërgjegjësimi dhe edukimi kundër korrupsionit, ku për objektiv ka rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për pasojat negative të korrupsionit si dhe edukimin e të rinjve mbi etikën.
Por sa është kostoja për të zbatuar gjithë objektivat e Strategjisë Kundër Korrupsionit?
Sipas dokumentit, qëllimi i parë i cili përkon me parandalimin e korrupsionit do të kushtojë rreth 910 milionë lekë për t’u zbatuar. Qëllimi i dytë i cili ka fokus ndëshkimin e korrupsionit arrin në vlerën e rreth 282 milionë lekëve dhe qëllimi i tretë i cili ka fokus ndërgjegjësimin si dhe edukimin kundër korrupsionit ka një vlerë rreth 42 milionë lekë