Fredi Beleri ka mbajtur fjalimin e parë si eurodeputet në Parlamentin Europian në Strasburg.
Ai tha se në PE është si eurodeputet grek i pakicës, i ardhur nga një vend anëtar i BE-së, por i lindur në një shtet që aspiron familjen europiane, por vazhdimisht po u largohet parimeve të saj.
“Me emocion të madh i drejtohem për herë të parë Parlamentit tonë Europian, një institucion, vendosmëria e të cilit u tregua kur unë dola nga burgu, ku qëndrova për 16 muaj. Sot, unë jam këtu si një eurodeputet grek i pakicës, i ardhur nga një vend anëtar i BE-së, por i lindur në një vend që aspiron t’i bashkohet familjes evropiane. Por, për fat të keq, ky vend po largohet vazhdimisht nga acquis evropiane, në vend që të afrohet me të”, tha Beleri, duke shtuar se “situata aktuale në Shqipëri tregon se si reformat mund të kthehen lehtësisht në “bomba totalitare” për themelet e një shteti demokratik”.
Më tej ai vijoi duke thënë: “Kjo ndodhi edhe me reformën në drejtësi të financuar edhe nga burimet europiane”.