Shqipëria hapi sot kapitullin e parë të negociatave me Bashkimin Evropian. Në një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm hungarez Péter Szijjarto dhe Komisionerin e Zgjerimit Oliver Varhelyi, kryeministri Edi Rama foli për të ashtuquajtur “arritje në drejtësi”.
Nga Luksemburgu, Rama deklaroi se Shqipëria ka sot një sistem llogaridhënës dhe transparent, i cili sipas tij, ka hetuar, gjykuar dhe dënuar zyrtarë të profilit të lartë.
Edhe pse ai e ka kapur drejtësinë dhe po e përdor si armë politike në luftën ndaj opozitës, Rama tha se ka në plan që me këtë drejtësi të luftojë korrupsionin.
Rama premtoi, njësoj si në fushatat elektorale, se do të luftojë korrupsionin në çdo nivel, kur në fakt është qeveria e tij që ka marrë jehonë ndërkombëtare për nivel madhor të korrupsionit.
“Nuk është një retorikë pro evropiane, është çështje jete e a vdekje për ëndrrën tonë për tu lënë brezave një vend ku liria është e padiskutueshme dhe ku demokracia funksionon për gjithkënd. Shqipëria ka përmbushur në mënyrë të gjitha parakushtet për të nisur këtë fazë anëtarësimi dhe mbetet e palëkundur për përmbushjen e kushteve. Arritjet në reformën e drejtësie, një sistem më llogaridhënës. Në historinë tonë po shohim hetime të profilit të lartë dhe figura politike që akuzohen apo dënohen para gjykate të pavarur pavarësisht partisë.
Do ta bëjmë këtë duke luftuar korrupsionin në çdo nivel për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të merituar vendin tonë në BE. Ky progres vetëm sado të thellohet, do e bëjmë këtë duke ruajtur e mbrojtur të drejtat e njeriut. Ne kemi zbatuar një kuadër mjaft progresiv bazuar në standardet e Evropës. Vullneti ynë do të përplotësohet me aktet nënligjore. Do të ndërtojmë punën e shkëlqyer me një ekip të madh negociatorësh dhe do ta forcojmë këtë administratë në shërbim të së ardhmes”, u shpreh Rama.