‘Tarifa simbolike për studentët’/ Berisha: Mësuesit dhe pedagogët do kenë pagat më të larta në rajon...

E mërkurë, 13 November 2024 21:18
 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, është ndalur te sistemi arsimor në Shqipëri, i cili përgjatë 10 viteve të qeverisë Rama, ka prekur fundin. ‘Buxheti i arsimit është 100 % më i ulët se në Kosovë, Serbi. Rrokullisja e arsimit në Shqipëri ishte më e madhja në botë’, tha ai.

Kryedemokrati Sali Berisha u ndal te vlerësimi i fundit i Piza-s, ku për për 8 vjeçarin e qeverisë së Edi Ramës, Shqipëria mban flamurin më të zi për rënien dramatike të cilësisë së arsimit. Ai u shpreh se kërkimi shkencor, i cili është jetik dhe vendimtar për zhvillimin e arsimit dhe zhvillimin e vendit, pothuajse ra në tërësi në inekzistencë. ‘Shqipëria për shkencën, shpenzon 746 herë më pak se mesatarja e BE’, dekaroi Berisha në fjalën e tij.

Lideri demokrat Sali Berisha, teksa e ka cilësuar buxhetin e 2025, një buxhet ndëshkues, u zotua për mbështetjen e arsimit. Gjatë fjalës përpara mbështetsve që ishin mbledhur në ditën e 317 të burgosjes politike të tij, Berisha tha se mësuesit dhe pedagogët do të kenë pagat më të larta në rajon. Sipas Berishës, fond nga buxheti do të alokohet edhe për kërkimin shkencor, që siç tha si, do të rritet në nivel rajonal.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha i bëri thirrje studentëve që të bashkohen më mosbindjen civile të opozitës për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë. Duke i premtuar se me ardhjen në pushtet të PD-së, studentët do të paguajnë vetëm një tarifë simbolike për degët ku studiojnë, Berisha kërkoi prej tyre që ta bëjmë Shqipërinë atraktive, tërheqëse, të jetueshme plotësisht.

FJALA E PLOTE

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen më të pakufishme për ju pararendës të vërtetë të triumfit të opozitës shqiptare dhe përmbysjes së narkoshtetit.

Misionarë të kauzës së drejtë të çdo shqiptari, të dinjitetit, të lirisë, të interesit kombëtar.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme, që me fjalën e tyre çajnë vellon e zezë të censurës qeveritare dhe u përcjellin shqiptarëve të vërtetat e realitetit të tyre.

Të dashur miq!

Sot dëshiroj të ju drejtohem nxënësve, nxënseve, studenteve e studentëve, prindërve të tyre, mbi një çështje themelore të jetës, të ardhmes së tyre.

Një çështje për të cilën çdo familje shqiptare përpiqet të sakrifikojë edhe nga kafshata e vet, në mënyrë që vajza, djali të shkollohet dhe të ketë një të ardhme më të mirë se ai të ketë një të ardhme që meriton.

Por qëndrimi i narkoshtetit i Edi Ramës, ministrave të tij, zyrtarëve të tij, i partisë së krimit, ndaj arsimit, shkollimit të fëmijëve shqiptarë është një qëndrim përçmues, për nënçmues, për të mos thënë deri në përbuzje.

Sot në shkollat e tre cikleve të vendit, ulen mbi 600 mijë nxënës dhe nxënëse dhe studentë.

Buxheti i këtij sistemi që ka mbi 45 mijë mësues dhe pedagog është qesharak. Është buxheti më i ulët, 100 përqind më i ulët se në Maqedoninë e Veriut, se në Kosovë, se në Serbi.

Në një kohë kur për shkak të rrokullisjes katastrofale që pësoi ky sistem në Shqipëri gjatë 8 viteve, të rilindjes vdeksore për arsimin, rrokullisja e cilësisë së arsimit në Shqipëri ishte më e madhja në botë.

Shqipëria në vlerësimin e fundit tyë Pizas, për 8 vjeçarin e qeverisë së krimit, mban flamurin më të zi për rënien dramatike të cilësisë së arsimit.

Cilësia e arsimit në këtë klasifikim del më e ulët se në vitet 2000.

Në shumicën e rretheve të vendit, njohuritë e nxënësve të klasave të 9-ta janë më të pakta se ato të klasave të 7-ta në Tiranë.

Mendimi kreativ i të rinjve shqiptarë është më i ulëti dhe vjen pas atij të Uzbekistanit dhe Turkmenistanit.

Kurse kërkimi shkencor jetik dhe vendimtar për zhvillimin e arsimit dhe zhvillimin e vendit, pothuajse ra në tërësi në inekzistencë.

Të dashur miq, Edi Rama jo vetëm ndaloi kërkimin shkencor duke ndaluar mbrojten e doktoraturave dhe masterave, por edhe atë buxhet që ekzistonte e destionoi për burokratët e tij.

Shqipëria për shkencën të dashur miq, shpenzon 746 herë më pak se mesatarja e Bashkimit Europian.

Ua dhashë këtë shifër për të kuptuar hipokrizinë e tmerrshme të kësaj qeverie, që mashtron shqiptarët për Shqipërinë e viteve ’30 në BE. Edhe njëherë ju lutem, fiksojeni për kërkimin shkencor në universitete e laboratorë të vendit, Shqipëria shpenzon 746 herë më pak se mesatarja e BE-së.

U ndala në këto të dhëna për të theksuar se, buxheti në parlament është një buxhet ndëshkues.

Buxheti prej 8.2 miliardë Eurosh është një buxhet ndëshkues për arsimin shqiptar, për fëmijët tanë, për mësuesit tanë, për pedagogët tanë.

Është një buxhet që të vetmen gjë premton, rrokullisje, rrokullisje, rrokullisje për këtë sistem pa të cilin kombet të ardhme nuk kanë.

Ndaj dhe unë jam sot këtu për tu zotuar këtu para jush, se arsimi do të jetë sistemi i përparësisë më të madhe.

Se modernizimi i shkollës sonë me praktikat, tekstet, metodikat më të avancuara dhe më bashkëkohore pavarësisht nga çmimi do të jetë objektiv madhor i PD.

Se krijimi i një infrastrukture moderne për shkollat, laboratorët, universitetet do të jetë objektiv madhor i pakundërshtueshëm.

Se rrogat e mësuesve shqiptarë, ashtu siç ishin në 2013, do të bëhen përsëri rrogat më të larta të mësuesve në rajon, por vetëkuptohet në nivel shumë herë më të lartë se sa më parë.

Universitetet do të pajisen me të gjitha mjetet moderne.

Të dashur miq!

Në vitin 2013 në universitet e vendit kishim 11600 pedagogë dhe asistencë, kjo shifër sot është 5400.

Përsëri ne do të shndërrojmë universitetet në shtëpinë e madhe të intelektualëve shqiptarë. Në qendrat e fuqishme intelektuale të vendit, në qendrat e fuqishme kërkimore shkencore.

Unë ju premtoj pedagogëve, asistentëve, se trajtimi i tyre do të jetë i njëjtë dhe më i mirë se i kolegëve të tyre në rajon dhe se investimi për kërkimin shkencor do të arrijë dora, dorës nivelet rajonale, për të ecur drejt niveleve europiane.

Do të dyfishohet numri i tyre.

Në universitete numri i studentëve për pedagog do të jetë i njëjtë me vendet e zhvilluara. Ne do të bëjmë gjithçka për kërkimin shkencor, si kushti i të gjitha kushteve për rritjen e cilësisë dhe avancimin e universiteteve tona.

Studentët i garantoj se tarifa e tyre universitare do të jetë thjeshtë simbolike.

Sot të dashur studente dhe studentë paguani nominalisht tarifat më të larta në Europë, pas Mbretërisë së Bashkuar dhe Mbretërisë së Holandës, kjo e fundit për studentët e huaj se për studentët e vet i ka simbolike.

Por kjo situatë merr fund të dashur studente dhe studentë.

Kjo merr fund, ju do të paguani tarifa simbolike dhe kjo është fjala ime e nderit para jush.

Së dyti, kampi universitar që ka 11 vite që pret, i miratuar me masterplan, me ndërtesa dhe çdo gjë dhe që u bllokua nga Erion Veliaj për tu bërë parking, nga ky hajdut i shpërfytyruar do të jetë nga veprat e para publike të qeverisë së PD.

Studente dhe studentë, Shqipëria ka nevoja të shumta, por nevojë më absolute se çdo gjë tjetër ka për energjinë tuaj, për mençurinë tuaj, për mendjen tuaj, ka që ju të ndërtoni ëndërrën tuaj në Shqipëri, sepse Shqipëria e ëndërra tuaja, është Shqipëria ëndërr, Shqipëria më e bukur, Shqipëria e të ardhmes më të mirë për shqiptarët.

Në këtë kuadër ju garantoj se do të bëjmë gjithçka, jo të vendosim ligje që të punoni aq e kaq në Shqipëri, jo, por ta bëjmë Shqipërinë atraktive, tërheqëse, të jetueshme plotësisht, të besueshme plotësisht, krenare me ju dhe ju të krenoheni me të.

Ndaj dhe ju ftoj sonte të bashkohemi në mosbindje civile, nxënës, studentë, prindër për të shpëtuar sistemin e dijes, pa të cilin nuk ka të ardhme, por vetëm errësirë.

Të bashkohemi, është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë.

Fitore, fitore, fitore!

Login to post comments