‘Unë u arrestova se mbrojta interesin kombëtar, pikërisht se isha antikorrupsioni i shqiptarëve’, tha gjatë fjalës së tij para selisë blu, kryedemokrati Sali Berisha, përballë mbështetësve të shumtë të cilët ishin mbledhur për ta pritur rikthimin e tij në selinë blu.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Mashtruan se Sali Berisha është i korruptuar. Po hetimi trevjeçarë nxori se Berisha u arrestua pikërisht se mbrojti interesin kombëtar, u arrestua pikërisht se ishte antikorrupsioni i shqiptarëve.
Sepse provat e vetme që gjetën ishin bamirësi të vajzës sime ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe dhe pagesat që ajo kishte bërë për shërbime mjekësore për mua, të gjitha të deklaruara.
U përpoqën të blejnë heshtjen e Sali Berishës, po këtu tani u bënë qesharakë me veten e tyre.
A mund të blihet heshtja e Sali Berishës? Kurrë!
Kërkuan ta zhysin Shqipërinë në terrin e narkodiktaturës. Por ne ndriçuam çdo natë në Rrugën e Shpresës.
Dhe nga sot, dritën e kësaj rrugë do ta përhapim sepse Shqipëria duhet të jetë vend i shpresës dhe kombi ynë duhet të jetë kombi i shpresës dhe jo kombi i krimit dhe i narkotrafikut!
Por ka dhe një arritje tjetër, edhe më të madhe se këto që ne kemi arritur bashkë.
Kjo fitore nuk ka rëndësi vetëm për ne, vetëm për të tashmen. Kjo fitore ka rëndësi edhe për ata që vijnë pas nesh, për të ardhmen.
Kjo arritje do iu shërbejë brezave të ardhshëm shqiptarë, si një trashëgimi e vyer kur ne të mos jemi më, si një burim inspirimi.
Kjo arritje do u jap dritë atyre në momente të zeza si këto që kaloi Shqipëria këto vite.
Kjo arritje është se ne shqiptarët nuk e deleguam kurrë ndërgjegjen!
Nuk pranuam të na caktonin kryetarin.
Nuk pranuam mashtrimin për të vërtetë.
Jo, miqtë e mi, kurrë!
Në këtë kohë krizash të vlerave, ju mbrojtët çdo traditë shqiptare, që na kanë mbajtur gjallë ne shqiptarëve ndër shekuj!
Ju qëndruat. Me guxim. Me vendosmëri! Me këmbëngulje!
Për ato grusht vlerash që e bëjnë njeriun të civilizuar.
Për dinjitetin e njeriut. Për familjen. Për demokracinë. Për interesin e kombit!
Prandaj dhe sot jemi më pranë se kurrë me triumfin tonë. Me rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet. Jemi më pranë se kurrë, në misionin tonë, për shpëtimin e Shqipërisë.