Në një takim me misionin e OSBE/ODIHR dhe Asamblenë Parlamentare të OSBE në selinë e Partisë Demokratike, drejtuesit e PD-së, se bashku me N/kryetarin e PD, z.Oerd Bylykbashi, Sekretarin për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, z. Ivi Kaso, dhe përfaqësuesin ligjor në KQZ, z. Franc Nuri, prezantuan një pasqyrë të plotë të situatës së tensionuar politike dhe institucionale në prag të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.
PD theksoi shqetësimin për përpjekjet e qeverisë për të minuar opozitën, përfshirë pengimin e përdorimit të vulës dhe simboleve të PD-së për dy vite dhe arrestin antikushtetues të liderit të opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha. Gjithashtu, u ngritën shqetësime për ndjekjen politike të drejtuesve dhe deputetëve të opozitës, vetëm pesë muaj para zgjedhjeve.
Përfaqësuesit e PD-së vlerësuan rekomandimet e OSBE/ODIHR si pasqyrë të qartë të shkeljeve serioze të standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, përfshirë shitblerjen e votës, presionin shtetëror mbi zgjedhësit, dhe lidhjet mes politikës dhe krimit të organizuar.
PD kritikoi bllokimin e reformës zgjedhore nga mazhoranca, pengesat për votën e emigrantëve dhe kontrollet politike mbi institucionet kryesore zgjedhore dhe gjyqësore.
Në përfundim, PD kërkoi një mision monitorimi të zgjeruar nga OSBE për zgjedhjet e ardhshme, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për të siguruar standarde demokratike dhe për të garantuar zgjedhje të ndershme në Shqipëri.
Statusi në Facebook, n/kryetari i PD, Oerd Bylykbashi:
Sot takuam në Selinë e PD-së misionin e OSBE/ODIHR dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE për vlerësimin e situatës parazgjedhore në Shqipëri.
Bashkë me Sekretarin për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore z. Ivi Kaso dhe përfaqësuesin ligjor të PD-së në KQZ, z. Franc Nuri, paraqitëm tablonë e plotë të situatës së rënduar politike, institucionale dhe parazgjedhore. Vend të veçantë zuri përpjekja e Edi Ramës për të shkatërruar opozitën, duke marrë peng për dy vjet vulën dhe simbolet e PD dhe duke mbajtur në arrest antikushtetues liderin e opozitës Prof. Dr. Sali Berisha dhe përndjekur politikisht drejtues dhe deputetë të partive të opozitës vetëm 5 muaj para zgjedhjeve.
Theksuam se rekomandimet e OSBE/ODIHR janë radiografia më e mirë e shkeljes brutale të standardeve ndërkombëtare dhe kushtetuese për zgjedhje demokratike. Shitblerja e votës, përdorimi i shtetit nga PS për të ushtruar presion ndaj zgjedhësve, bashkëpunimi i politikës, shtetit dhe krimit të organizuar, cenimi i lirisë dhe sekretit të votës që janë shqetësime madhore të OSBE/ODIHR, tashmë reflektohen me shqetësim edhe në rezolutat e ashpra të CDI dhe EPP ku stampohet imazhi i narko-shtetit.
Bllokimi i reformës zgjedhore dhe i adresimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR nga PS, përpjekjet për të penguar votën e emigrantëve, kontrolli politik mbi KQZ dhe gjykatën, angazhimi i krimit të organizuar në zgjedhjet e ardhshme, mosveprimi i SPAK dhe prokurorisë së zakonshme kundër krimeve zgjedhore etj, përbëjnë shqetësime serioze me të cilat opozita do të përballet frontalisht. Në këtë kuadër, kërkuam që OSBE të sjellë një mision vëzhgimi sa më të madh për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si kontribut dhe shenjë e vëmendjes ndërkombëtare për zgjedhje demokratike në vend.