E premtja e zezë e kontrollit/ Orët e fundit të Erion Veliajt

Saturday, 07 December 2024 17:08
 

Ç'ndodhi duke pritur avionin Wiz Air të linjës Hamburg-Tiranë

Atëhere kur të gjithë e prisnin në Tiranë, pasi një skuadër e OPGJ-ve i kishte kontrolluar banesën e vet, atë të vëllait dhe zyrën e bashkëshortes, Ajola Xoxa, një pasagjer i zakonshëm e fotografoi Erion Veliajn në sediljen e avionit Wiz Air të linjës Hamburg-Tiranë. Njeriu që qëndronte gjysëm i maskuar nën një kasketë të zezë dhe me trupin të fshehur pas një xhupi të stërmadh skiatorësh dukej që i druhej vështrimit të të tjerëve. Ai kishte qenë gjatë gjithë ditës epiqendra e titujve kryesorë të atyre mediave, pjesën më të madhe të të cilave i kontrollon me dorë të hekurt dhe kosto të larta prej një dekade. 

Lajmi i avancimit të hetimit pasuror ndaj kryebashkiakut të përfshirë në skandalin e inceneratorit të Tiranës dhe atij të vjedhjes së fondeve publike nga vartësit e tij të 5D, nuk ishte një ogur i mirë. Aq më tepër këto kontrolle dhe sekuestrimi i celularit të së shoqes e vinin atë në pozicion të vështirë. Ishin momente që Veliaj do dëshëronte të qe i padukshëm. Si i tillë u soll dhe kur zbriti rreth orës 18 50 në Rinas, ku një makinë e priti në dalje të sallonit VIP, për ti’u shmangur kamerave dhe reporterëve të panumurt që e prisnin për një deklaratë. Lapsi.al ishte aty me të tjetërt, por nuk mundi ta kontaktojë. Mes gazetarëve qarkullonin “burime të pakonfirmuara nga SPAK”, që thoshin se prokurorët i kanë kërkuar tashmë gjykatës “masën arrest shtëpie”, çka do të sillte, në ditët e arrdhshme, një shkarkim të pashmangshëm nga kryeministri. Të tjerë, kujtonin se cilido që i është nënshtruar një hetimi pasuror nuk ka përfunduar mirë. Prandaj komenti i kryebashkiakut pritej si ujët e pakët, në ato orë të mbrëmjes të së premtes, që nuk ka rezultuar të jetë një ditë me fat për ata që kanë pasur punë me prokurorët specialë.

Vetëm rreth  20 30-ës, pasi i shoqëruar nga një skuadër badigardësh Erion Veliaj ndaloi në apartamentin e katit të katërt, te Kodra e Diellit 1, ku gjatë paradites pati zbarkuar BKH-ja, ai bëri një reagim evaziv në rrejtin “X”. Përpos llafollogjisë së përhershme kundër gazetarëve, ai paranoi për herë të parë se gjendej nën hetim pasuror duke shtuar se ai dhe familjarët e vet do jetë të hapur ndaj çdo vendimi të drejtësisë: “Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap” shtoi ai.

Më parë lidhur me këto “hapa të mirëprituar”, SPAK kishte bërë një ragim të kursyer. “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal,” u tha, pa pretenduar se mund të jepeshin më shumë detaje. 

Ato që rodhën përmes mediave tregonin goxha më tepër. Pasi zonja Xoxa nuk i kishte hapur derën për një kohë të gjatë, derisa në shtëpi të mbërrinin biznesmenë të afërt me Erionin, hetuesit e BKH kishin kontrolluar për dy orë apartamentin. Më pas ata ishin zhvendosur për në Sky Tower atje ku gjenden zyrat e shoqatës Harabeli të Ajolës. Aty gërmuan përreth shtatë tetë orë dhe u larguën vetëm në mbrëmje

Por, këto akte ekstreme nuk janë të veçuara. Ato shihen si vijim i një kalvari të gjatë që filloi fiks një vit më parë, kur krahu i djathtë i kryebashkiakur, Taulant Tusha përfundoi në pranga. Në mars të këtij viti erdhën disa goditje të tjera. Marenglen Qato dhe Redi Molla, patën të njëjtin fat pas zbulimit të skandalit 5D, ku drejtorët e bashkisë dergonin fondet publike drejtpërdrejt në kompaninë e tyre private. Në prill, ndonëse bëri lodra çilimijsh me “kolegë” dhe u detyrua të mbillte pemë para SPAK-ut, Veliaj u detyrua të parakalonte për herë të parë publikisht para derës së prokurorisë. Ndërkohë, si kurrë ndonjëherë më parë, mediat u mbushën me lajmet e dosjes së SPAK për mënyrën se si kalonin fondet e bashkisë në ndërtimin e hoteleve private ku një punonjëse e përgjuar pohonte se Veliaj ishte pronar. Kryebashkiakut filluan ti shmangeshin nga figurat publike që deri në atë moment ishin në garë për tu shfaqur pranë tij. Një goditje edhe më e rëndë erdhi në shtator kur në asamblenë e PS-së Edi Rama i hoqi monopolin e drejtimit të qarkut të Tiranës. Kryeqyteti tani do ndahej ne tresh mes atij, Elisa Spiropalit dhe Ogerta Manastirliut. Por ky nuk qe kamzhiku i fundit. Pak javë më pas, si përforcim u shtua edhe Blendi Gonxhe, që përflitet në selinë mavi si zëvendësuesi i menjëhershëm i Lalit, nëse ai shkarkohet në mënyrë të parakohshme nga detyra. 

Pra, në një vit rënia e Veliajt ka qenë e pandalshme dhe shpresa e armiqve të tij të shumtë, se do ta heqin qafe, më e madhe se kurrë më parë. Por jo të tëra shenjat kane qenë të tilla. Të gjithë ata që shpesh gjatë këtyre muajve kanë ngritur pyetjen, nëse Rama do ta shesë apo jo delfinin e tij kanë marrë sinjale kontradiktore. Sapo plasi skandali 5D kryeministri i doli në krah kryebashkiakut. Kur ky i fundit përdori alibinë se edhe atij mund ti kenë ngrënë kumblla dhe dardha pas shpine njësoj si shefit, Rama bëri një deklaratë ku pohonte se bashkohej me pikë e presje me versionin e Veliajt. Megjithëatë, për të ruajtur ambiguitetin, kur u pyet në Report TV për Veliajn, disa ditë më vonë, kryeministri lëshoi mesazhe diametralisht të kundërta: “SPAK ti nxjerrë ujin e zi korrupsionit dhe ku ka arsye, ku ka prova për këdo qoftë” këmbënguli ai.

Ky dyzim është lehtësisht i shpjegueshëm. Nga njëra anë Rama është i ndërgjegjshëm se provat e korrupsionit të Veliajt janë evidente, ato kanë dalë sheshit me dëshmi dhe dokumenta dhe ai e di se duke e mbrojtur merr kosto edhe për vete. Ama, nga ana tjetër ai kupton gjithashtu se si kryebashkiak, Lali ka grumbulluar një pushtet financiar dhe një makineri elektorale që do ti hynte në punë në 11 majin e ardhshëm. Prandaj kalamendet mes dy vendimarrjeve. 

Ky hezitim politik nuk ka ngelur pa infektuar as drejtësinë. Vërtet SPAK duket se ka nisur një hetim pasuror nga i cili deri më tani nuk ka shpëtuar askush (Ahmetaj, Beqja, Meta, Berisha). Por ndryshe nga të tjerët prokurorët janë treguar shumë më të mëshirshëm me Erionin. Ndërsa për ata që ishin larguar nga pushteti, prej më shumë se një dekade, kanë kërkuar burg me justifikimin se mund të prishnin provat, për kryebashkiakun nuk kanë guxuar as masën e pezullimit nga detyra. Ndërsa ish zv/ kryeministrit i bënë kontroll të menjhershme banese dhe i’a rrodhën të gjitha gjetjet në publik, për Veliajn u vonuan një vit dhe u treguan hermetikë. Disa me të drejtë ngrenë pyetjen: çfarë vlere ka sekuestrimi i celularit të Ajola Xoxës pas 12 muajsh, kur ajo e morri vesh se ky aparat i mallkuar i hëngri kokën, psh. Monika Kryemadhit?  

Mes këtyre dritë hijesh dilema se ç’do të ndodhë me fatin personal të Veliajt vazhdon. A do të shkojë ai drejt burgut? Apo vetëm detyrim paraqitje apo arrest shtëpie? A do të ndodhin këto tani shpejt, apo pas zgjedhjeve të përgjithshme?

Por nëse për qytetarin Erion ka mëdyshje, politikani Veliaj e ka prerë biletën. Ato që thuheshin për të një vit më parë janë shuar. Askush sot nuk e sheh më as si pasardhësin e Ramës dhe madje as me një vijimësi normale të karrierës. Për të gjithë duket sikur e ardhmja e tij në PS është djegur. Sforcimi për të korruptuar aktorët që rrezistuan tek teatri, për të mposhtur protestën e bonorëve që iu përshiën shtëpitë tek unaza, apo 5 maji, sukseset elektorale në Tiranë, të gjitha janë shumëzuar me zero. Sot për të askush nuk pyet më se ç’do të jetë nesër, por se ç’fat e pret tani shpejt.

Disa vënë bast se do të shpëtojë. Të tjerë e shohin se po bëhet gati për burg. Fiks ashtu siç ishte veshur në avionin e linjës Hamburg Tiranë, kur kishte turp të përballej me sytë kureshtarë të pasagjerëve. 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...