Përmes gojës së Klotilda Bushkës, Edi Rama ka pranuar puçin kushtetuese dhe se pengesë për heqjen e mandatit të Xhaçkës është mazhoranca, për të cilën thotë se nuk na detyron kush që të votojmë për dorëzimin e saj.
Qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare.
Me këtë qëndrim Edi Rama bëhet zyrtarisht i vetmi kryeministër në botë që nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, gjë që ndodh edhe në vende diktatoriale të konsoliduara.
Sigurisht arsyet pse Rama nuk e dorëzon Xhaçkën dihen. Janë lidhjet e hershme me të dhe fakti që ajo tashmë është strategjike pasi ka marrë mijëra metra katror tokë në bregdet për llogari të vet dhe shefit të saj.
Nëse Rama i merr mandatin Xhaçkës, automatikisht duhet të dorëzojë edhe të tijin pasi është ai autori kryesor i aferës.
Në deklaratën e saj për mediat, Klotilda Bushka shprehet qartë se rilindja nuk pyet për venimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk e detyron dot askush ta votojë në një mënyrë të caktuar dhe se deputetët kanë të drejtë të votojnë lirshëm, siç është sanksionuar nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e vitit 2011.
Se sa janë të lirshëm rilindasit të votojnë sipas mendimit dhe bindjes së tyrë, këtë e di gjithë Shqipëria.
Deklarata e Bushkës:
“Në opinionin e Komisionit të Venecias theksohet parimi se deputetët janë të lirë të votojnë. Komisioni i Venecias konstaton se Kuvendi e njeh detyrshmërinë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë të zbatueshme dhe nuk duhet të diktojnë votën dhe të shkelin rolin e parlamentit. Bazuar ne opinion e Komisionit të Venecias pikëpyetjet e ngritura nga Gjykata Kushtetuese kanë qenë të drejta dhe të bazuara. I gjithë ky proces përtej retorikës politike pati një karakter tërsisht teknik dhe parime kushtetuese e jo interesa politike. Koha na dha të drejtë se ishte një çështje juridike që nuk mund të zgjidhej me vendime politike”, tha Bushka.
Bushka tha se Komisioni i Venecias thekson se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të kushtëzohet nga votimi në Kuvend.
“Kuvendi e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të GJK dhe nuk ka patur qëllim moszbatimin. Por duhet të jenë brenda kompetencave kushtetuese. Kuvendi e dërgon çështjen në GJK vetëm kur deputeti përfiton pasuri publike. E drejta 1/5 e deputetëve për t’iu drejtuar GJK e sanksionuar në Kushtetutës dhe lejimi saj i mbrojtur sipas parimeve ndërkombëtare. GJK në rolin kushtetues ka kompetencën e interpretimit të kushtetutës. Edhe një herë u kërkua qartësimi kur ekzistojnë paqartës. Nuk ka patur asnjë krizë kushtetuese”, tha Bushka.
Qëndrimet thelbësore të Gjykatës Kushtetuese:
🔹Paragrafi 20:
Kuvendi argumenton se skenari i fundit është i zbatueshëm në lidhje me nenin 70(4) të Kushtetutës pasi dispozita thotë se Kuvendi “vendos” për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, Komisioni dëshiron të theksojë se në këtë rast konkret Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka dhënë tashmë një vendim se Kuvendi u detyrua të dërgonte në Gjykatën Kushtetuese mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit konkret.
🔹Paragrafi 22:
Në dritën e sa më sipër, pyetjet numër 1 dhe 3 nuk duhet të shihen si çështje mandati të lirë, pasi nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare.
🔹Paragrafi 57:
Pajtueshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si element i shtetit të së drejtës. Një pajtueshmëri e tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare, por është një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës. Kur vendimi i një Gjykate Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizim të fuqisë vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të marrë një vendim në përputhje me gjykimin e Gjykatës dhe të votojë për çështjen e kufizuar siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.