Erion Veliaj dhe familja e tij po hetohen për korrupsion.
Burime tepër të besueshme konfirmojnë se në adresën ku ndodhen zyrat e qendrës “Harabel” të Ajola Xoxës, janë gjetur dhe sekuestruar një shumë e konsiderueshme parash.
Bëhet fjalë për 80 mijë euro, por burimi nuk e konfirmon përfundimisht këtë vlerë. Në ambientet ku ndodhen zyrat e “Harabelit”, kanë adresë edhe dy kompani të tjera, ndërsa po kryhen veprime se kujt i përkasin këto para.
Sa i takon veprës penale të korrupsionit, SPAK mbetet tepër hermetik për detaje, duke e konsideruar si tepër sekret hetimin, përfshirë edhe përcaktimin e veprës penale nëse është për korrupsion aktiv apo pasiv.
Mbi këtë vepër penale, rrjedh edhe pozita e organit hetues, për të gjurmuar pasurinë e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, vëllait Arbër Veliaj, të ëmës Shqiponja Veliaj dhe të bashkëshortes Ajola Xoxa.
Për subjektet e sipërpërmendura, muaj më parë prokurori i posaçëm Olsi Dado iu nisi shkresë një sërë institucioneve si Kadastrës dhe bankave të nivelit të dytë për pasuritë e paluajtshme apo transaksione të këtyre shtetasve.