Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë një takimi me drejtuesit e grupeve të punës për Qarkun e Tiranës, prezantoi një paketë emergjente ekonomike për përmirësimin e standardit të jetesës në Shqipëri. Ai ka propozuar një minimum jetik prej 200 eurosh, pagë minimale prej 500 eurosh dhe mesatare prej 1200 eurosh, ndërsa pensionet do të bazohen mbi 200 euro.
Berisha ka garantuar se këto masa janë të realizueshme, duke akuzuar qeverinë aktuale për shpërdorim dhe keqmenaxhim të fondeve publike. Ai ka sjellë shembuj konkretë të korrupsionit, duke përmendur raste si tenderat për Unazën e Tiranës dhe përfitimet personale të lidhura me zyrtarë të lartë. Sipas tij, shqiptarët po vuajnë padrejtësi të mëdha ekonomike për shkak të vjedhjeve masive. Në këtë kontekst, Berisha ka theksuar se angazhimi i tij bazohet në zgjidhje konkrete dhe jo në premtime të pabaza.
FJALA E BERISHËS:
Kështu që ne do të trokasim në çdo derë, duke paraqitur paketën tonë të emergjencës, ku vendosim si fillim minimumin jetik 200 euro.
Vendosim si fillim rrogën minimale 500 euro.
Rrogën mesatare 1200 euro.
Pensionet do llogariten mbi 200 eurot.
Pra, një transformim, një përmbysje të plotë të shpërndarjes së të ardhurave.
A mund të bëhet kjo? 100 përqind.
Të kesh në tavolinë 8.2 miliardë, në një kohë kur fatura shkon 900 milionë maksimumi, pa diskutim që këto përmbysen vetëm duke vendosur raportin të paktën 50 përqind me 50 përqind investime për njeriun.
Por ti do investosh edhe më shumë.
Shqiptarët, për fat jo të mirë, nuk e kanë të qartë shkallën e tmerrshme me të cilën vidhen ata.
I vëllai i Erion Veliajt, vitin që i vëllai iu bë kryetar bashkie, bleu me 100 euro një kompani. Sot është me 32 milionë euro. Tendera të fituara që të gjitha në kundërshtim me ligjet.
Por ky është vetëm një shembull se si janë shpërndarë këto pasuri.
Në 14 lote, 14 kontrata firmos Belinda Balluku për 13 kilometra unazë të Tiranës. Nuk ka në planet, kjo është për Gines.
Po ne kemi ndërtuar Rrugën e Kombit 64 kilometra, një kompanie dhe e ka përfunduar brenda dy vitesh. Kemi përfunduar rrugën Ibë-Bradashesh për 20 muaj një kompani.
Ajo të nesërmen shkon atje, merr një buldozer dhe një skrap dhe duket sikur po punon vetë e thotë se unaza do përfundojë brenda këtij viti, paçka se e ka trupëzuar edhe në buxhetin e vitit 2027 punimet në unazë.
Pra, paratë që të gjitha janë. Nuk ka asnjë vështirësi.
Dhe unë ua them ju, këto premtime janë me rezerva. Askush të mos mendojë se janë maksimalizma. Unë personalisht bëj atë që mund të realizoj. Por prapë jam i bindur se këtu ka rezerva.
Sigurisht ne duhet të shkojmë tek çdo biznesmen i vogël, ata janë, jo vetëm këtu, por edhe në vendet e zhvilluara, gjenerator i punësimit dhe mirëqenies, programin e tyre do e bëjmë së bashku me ta.