Nga Irena Beqiraj
Në 7 prill 2023, ministrja e Financave e asaj kohe, Delina Ibrahimi, na dha lajmin e mirë se brenda vitit 2024 pagat në sektorin publik do të rriteshin duke e çuar kështu pagën mesatare në sektorin publik 900 euro.
Lajmi “Paga mesatare 900 euro” u përsërit në daljet publike të zonjës Ibrahimi në maj edhe qershor 2023 si për të na i ngulitur këtë shifër njëherë e mirë në mendje.
Pasardhësi i saj, zoti Mete, në mungesë të ndonjë politike tjetër për t’u krenuar, nuk përtoi dhe e përsëriti lajmin e “pagës mesatare 900 euro” në tetor 2023, nëntor 2023, janar 2024, prill 2024 edhe qershor 2024. Plot pesë dalje publike me po të njëjtin sihariq.
Megjithëse e mori vesh i madh e i vogël se paga mesatare në sektorin publik do të ishte 900 euro, “e ardhmja e PS-së”, Helena Kaçi, ngatërroi “pagën mesatare 900 euro me pagën minimale”.
Kështu që ishte kusuri ynë që edhe ministri i tretë i Financave, në mungesë të ndonjë sihariqi tjetër të padëgjuar, me njoftimin se “paga mesatare shkon 900 euro” na lumturoi në shtator 2024, nëntor 2024 dhe dhjetor 2024, por jo vetëm kaq, në daljen e fundit ai tha se “paga mesatare në sektorin privat, nga 900 euro që ishte parashikuar, u rrit 986 euro”.
Nga kjo arritje e madhe, përveç Helena Kaçit, zemra i doli nga gëzimi edhe vetë kryeministrit, i cili shifrën 986 euro, e cilësoi:
1) tejkalim të ambicies qeveritare,
2) që padyshim do të reflektohet ndjeshëm në të ardhmen në pagat e sektorit privat!
Tejkalim i ambicies qeveritare?
Sot paga mesatare në sektorin publik është 96.850 lekë. E konvertuar në euro me kursin e këmbimit euro/lek të prillit 2023 (1 euro = 113 lek), kur qeveria shpalli “ambicien” për të rritur pagat, paga mesatare prej 96.850 lekë do të ishte vetëm 857 euro, pra më pak sesa u premtua. Në fakt, është zhvlerësimi i mëtejshëm i euros, e cila sot vlen 98 lek që 96.850 lekë të konvertohen në 986 euro.
Pra “tejkalimi i ambicies” nuk është gjë tjetër veçse efekt i zhvlerësimit të euros.
Po reflektimi i ndjeshëm në pagat e sektorit privat?
Paga mesatare në sektorin publik në vitin 2013 ishte 52.150 lekë. Nëse ajo do të indeksohej çdo vit me normat e inflacionit, ajo sot pa rritjen do të duhet të ishte 68.400 lekë.
Pra, rritja reale e pagës mesatare në sektorin publik nuk është 230% sa pretendon qeveria, por vetëm 41%.
Paga mesatare në sektorin privat në vitin 2013 ishte 38.000 lekë. Nëse ajo do të indeksohej çdo vit me normat e inflacionit, ajo sot duhet të ishte 49.780 lekë. Fakti që paga mesatare në sektorin privat është 69.000 lekë rezulton se rritja reale e pagës mesatare në sektorin privat është 38,6%.
E pra. qeveria krahasuar me vitin 2013. ka bërë një rritje reale të pagës mesatare me 41%. por edhe sektori privat nuk ka mbetur mbrapa, siç trumbeton qeveria. Që prej vitit 2013, sektori privat ka bërë një rritje reale të pagës mesatare me 38.6%, edhe për më tepër, ndryshe nga qeveria, e ka bërë atë me parë edhe gradualisht. Duket se e kundërta ka ndodhur!
Shumë “ambicie qeveritare” u arritën edhe u tejkaluan nga zhvlerësimi i euros, zhvlerësim i cili ka rënduar gjendjen financiare të sektorit privat. Megjithatë në heshtje sektori privat ka afruar një rritje reale te pagës mesatare me 38.6%. Por ndryshe nga kryeministri edhe ministrat e tij, sektori privat nuk u bie daulleve të propagandes.