Byroja e Kuvendit rrëzoi kërkesën e LSI-së për përjashtimin e kryeministrit Edi Rama nga Kuvendi, referuar fjalëve fyese të tij në parlament. Në seancën e 23 marsit Rama i krahasonte shqiptarët me organin gjenital të mashkullit dhe ky etiketim nuk konsiderohet aspak fyes nga Byroja e kvendit e dominuar nga mazhoranca.
Mbledhja u mbajt me dyer të mbyllura këtë pasdite dhe seanca u drejtua nga Zv/ Kryetarja e Parlamentit Vasilika Hysi.
Në përfundim të saj deputetët e opozitës akuzuan mazhorancën se me mbrojtjen e fjalorit “rrugaçëror” të Ramës ajo po fyen për herë të dytë shqiptarët.
Kërkesa e LSI:
“Edi Rama dhe oborri i tij arrogant, të mbyllur në kullat e oligarkëve nuk e kuptojnë që sot shqiptarët janë ngritur kundër regjimit skllavërues që ai po instalon. Fjala e tij para shqiptarëve ishte jo vetëm një fyerje që u bëhet banorëve të Kukësit, por edhe një shprehje e qartë e antikombëtarizmit të tij që i trajton kosovarët si klientë të pazarave të oligarkëve të tij”.
Kjo ishte një pjesë nga deklarata e Monika Kryemadhit ditën e hënë, ku ndër të tjera paralajmëroi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të dorëzonte në Kuvend një kërkesë për përjashtimin e Kryeministrit Edi Rama.
Kërkesa është dorëzuar këtë të mërkurë dhe në të thuhet: “Duke marrë shkas nga sjellja në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit të Kryeministrit Edi Rama, i cili në seancën plenare të datës 29 mars, me një gjuhë prej rrugaçi përdori fjalor fyes, përçmues e poshtërues ndaj deputetëve të Kuvendit dhe qytetarëve të Republikës së Shqipërisë ju drejtohemi me kërkesën për përjashtimin e tij nga Kuvendi”.
LSI thotë se ky është një rast i përsëritur i Kryeministrit, por e quan të pashembullt krahasimin e bërë në seancën e së enjtes.
“Krahasimi që Kryeministri Edi Rama ju bën deputetëve dhe qytetarëve shqiptarë me organin gjenital mashkullor është rast i paprecedent dhe shfaqje e shëmtuar e qëndrimit të tij ndaj popullit”, vijon kërkesa e firmosur nga grupi parlamentar i LSI-së.