Opozita është e vendosur që t’i shkojë deri në fund çështjes së ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafajt.
Prej një jave, PD ka nisur një sulm frontal ndaj Xhafajt, ku ky sulmi kishte kulmin ditën e djeshme ku u publikua një audio-përgjim për vëllain e tij, Agron Xhafajn.
Pas publikimit të përgjimeve, në media është folur se Xhafaj i ka paraqitur dorëheqjen, e megjithatë deri tani nuk kemi asgjë konkrete.
Kreu i PD-së Lulzim Basha mblodhi ditën e djeshme aleatët, ku u vendos për të protestuar para Ministrisë së Brendshme, ku prej disa ditësh qëndron e heshtur si asnjëherë më parë.
Me pankarta në duar, simpatizantë të PD-së dhe LSI-së do kërkojnë largimin e tij nga detyra, ndërsa i pranishëm nuk do të jetë Lulzim Basha pasi është nisur drejt Sofjes për të marrë pjesë në samitin e PPE.
Protesta do të mbahet në orën 12:00, vetëm një orë para se kryeministri Edi Rama, në një mbledhje të jashtëzakonshme me grupin e PS-së do të flasë për herë të parë për këto akuza.
Por e enjtja do të jetë ditë e përplasjes së madhe mes PD-së dhe PS, ku pritet që seanca parlamentare të shoqërohet me debate të forta.
Opozita tashmë e ka paralajmëruar se nuk do të ketë seanca normale, deri në largimin e Xhafajt nga detyra.
Partia Demokratike ka bërë me dije se Agron Xhafaj është dënuar me 7 vite burg për trafik droge, ndërsa ai është ndihmuar nga vëllai i tij, Fatmir Xhafaj për të mos kryer këtë dënim.
Opozita ka hedhur akuza të forta ndaj Xhafajt se për të shpëtuar vëllain e tij, kur ishte në krye të Komisionit të Reformës në Drejtësi ka ndryshuar nenin që flet për ekstradimet.